Formohet grupi i punës për kodin e ri zgjedhor, zgjidhja ligjore pritet deri në qershor

featured
Press Online
28 Janar 2026, 10:59

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka dërguar tek Ministria e Drejtësisë listën me përfaqësues të nominuar nga partitë parlamentare dhe deputetë të pavarur, të cilët do të marrin pjesë në grupin e punës për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, pritet të caktojë së shpejti takimin e parë të grupit, informon PressOnline.al

Nga VMRO-DPMNE në grupin punues do të marrin pjesë deputetët Antonijo Miloshoski dhe Ivanka Vasilevska, nga ZNAM Pavle Arsoski dhe Daniel Stojçevski, ndërsa nga VLEN-i Saranda Imeri dhe Zeqirija Tairi. Nga LSDM-ja opozitare do të jenë koordinatori Oliver Spasovski dhe Jovana Trençevska, nga BDI-ja Arta Biljali Zendeli dhe Blerim Bexheti, ndërsa nga “Levica” Borislav Krmov dhe Rexhep Ismail. Përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët do të jenë Ilire Dauti dhe Elmi Aziri, nga Arben Taravari deputetët Rijad Shaqiri dhe Halil Snopce, dhe nga Partia e Turqve deputeti Bejxhan Iljas.

Ende nuk është vendosur se kush do të drejtojë grupin punues. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka shprehur interes për këtë rol për të përshpejtuar procesin, por nuk përjashtohet që pozicioni të zgjidhet nga Ministria e Drejtësisë.

Në takimin e liderëve me kryeministrin Hristijan Mickoski u theksua se një kod i ri zgjedhor është i nevojshëm dhe duhet të përgatitet deri në qershor. Kodi i ri zgjedhor është gjithashtu pjesë e Aghendës së Reformës.

Sipas koordinatorëve të grupeve parlamentare dhe Ministrit të Drejtësisë, nëse deputetët vendosin që më shumë se një e treta e Kodit Zgjedhor të ndryshohet, do të përgatitet një zgjidhje ligjore krejtësisht e re; përndryshe, do të ndryshohet kodi ekzistues.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter