Mitrovicë — Një incident i pazakontë tronditi mbrëmë qytetin e Mitrovicës, ku një bager, i përdorur nga një kompani për heqjen e objekteve pa leje, u përfshi nga zjarri gjatë orëve të vona të natës.
Në një reagim të fortë, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, dënoi në mënyrë të hapur këtë akt, duke e cilësuar si një veprim makabër e kriminal që shkel ligjin dhe kërcënon sigurinë publikë.
“E dënoj ashpër këtë akt makabër e qyqar. Ky veprim kriminal përbën kërcënim direkt për të gjithë ata që angazhohen që Mitrovica të jetë qytet ku mbretëron rendi dhe qetësia publike,” shkroi Peci në reagimin e tij.
Peci theksoi se akti i djegies së bagerit nuk do të ndalë përpjekjet e institucioneve për të luftuar paligjshmërinë dhe kriminalitetin në qytet, duke bërë thirrje që organet e rendit të intensifikojnë hetimet dhe të zbardhin shpejt rastin.
“Por, të gjithë ata që me akte të tilla kriminale e kërcënuese mendojnë se na frikësojnë, kanë gabim. Lufta jonë ndaj paligjshmërisë, kriminalitetit e parregullësisë nuk do të ndalet,” deklaroi ai.
Kryetari gjithashtu u shpreh se paqe me krimin nuk do të ketë asnjëherë — as në jug, as në veri të Mitrovicës.
Qytetarët mbeten të shqetësuar pas këtij incidenti, ndërsa autoritetet policore ende nuk kanë bërë të ditur rezultatet e hetimeve për zjarrvënien e bagerit. (INA)


