Nga Destan Jonuzi
Shpesh politika shndërrohet në rutinë paudhash, një realitet ku instrumentet e jashtëzakonshme bëhen rregull. Në Maqedoninë e Veriut, kjo dinamikë është materializuar përmes qeverive teknike – institucione që supozohet të jenë të përkohshme dhe neutrale, të krijuara për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Sot, debati publik ka dalë mbi një pyetje thelbësore: A është ky institucion akoma i nevojshëm, apo është bërë pengesë për funksionimin normal të demokracisë? Takimet e liderëve politikë në Shkup kanë hapur diskutimin për shfuqizimin e Qeverisë teknike dhe rifokusimin tek një qeverisje e zgjedhur me mandat të plotë, që të ushtrojë deri në fund përgjegjësitë e saj ndaj qytetarëve.
Historikisht, qeveria teknike u konceptua si instrument emergjent pas krizës politike të vitit 2015/16. Marrëveshja e Përzhinos krijoi këtë model për të zbutur tensionet midis partive dhe për të siguruar një fushatë zgjedhore të qetë. Por koha e emergjencës ka kaluar. Maqedonia e Veriut është anëtar i NATO-s, ka kaluar disa raunde zgjedhjesh pa trazira të jashtëzakonshme dhe ka institucione demokratike që funksionojnë normalisht.
Mbajtja e këtij modeli përtej nevojës historike krijon një pengesë për qeverisjen normale. Vendimet strategjike shtyhen, institucionet operojnë në kohë pezullimi, ndërsa përgjegjësia politike ndaj qytetarëve zbehet. Një instrument emergjent që mbetet në funksion përtej emergjencës së tij transformohet në mjet politik për avantazhe taktike, duke cenuar llogaridhënien dhe transparencën.
Kritikët e qeverisë teknike e shohin këtë praktikë si të papërshtatshme për një vend anëtar të NATO-s dhe aspirues të Bashkimit Evropian. Në vend që zgjedhjet të mbahen nga qeveritë e zgjedhura deri në fund të mandatit, mekanizmi tranzitor mbetet i përfshirë në çdo cikël zgjedhor, duke shtuar tensione dhe duke larguar fokusin nga problemet reale që prekin qytetarët: ekonomia, shëndetësia, arsimi dhe punësimi.
Heqja e Qeverisë teknike nuk është thjesht një çështje procedurale. Është test i maturisë së demokracisë së Maqedonisë së Veriut, provë e aftësisë së institucioneve për të funksionuar me përgjegjësi dhe llogaridhënie direkte ndaj qytetarëve. Koha e instrumenteve emergjente ka kaluar; vendi ka nevojë për normalitet institucional, ku qeveria funksionon brenda mandatit dhe qytetari ka kontroll mbi zgjedhjet dhe politikat që e prekin drejtpërdrejt.
Në këtë pikë, vendimmarrësit nuk po flasin thjesht për procedurë. Ata po vendosin për parimet që do të udhëheqin demokracinë tonë në dekadën e ardhshme. Dhe kjo është përgjegjësi që nuk mund të lihet pas dore.(PressOnline.al)


