Incidentet me përmbajtje nacional-shoviniste në zonat kufitare të Maqedonisë së Veriut nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një modeli më të gjerë të luftës hibride me origjinë ruso-serbe, paralajmëron hulumtuesi Gurakuç Kuçi në një analizë të publikuar së fundmi, informon PressOnline.al
Sipas Kuçit, kufijtë nuk shërbejnë vetëm si ndarje administrative, por si instrumente gjeostrategjike për prodhimin e tensioneve afatgjata. “Në Ballkan, kjo logjikë është aplikuar historikisht përmes ndërmjetësimit etnik në zonat kufitare, duke krijuar presion të vazhdueshëm politik dhe sigurie”, thekson ai.
Analiza ndërlidh zhvillimet në Maqedonia e Veriut me praktika të aplikuara më herët nga Rusia në Donbas e Krime dhe nga Serbia në veriun e Kosovës. “Demografia, narrativa nacionaliste dhe kontrolli i hapësirës kufitare përbëjnë një trinom funksional të luftës hibride,” vlerëson Kuçi.
Vevçani si sinjal paralajmërues
Një vëmendje e veçantë i kushtohet rastit të Vevçani, ku gjatë karnavalit tradicional të Shën Vasilit u dëgjuan thirrje dhe këngë nacional-shoviniste serbe.
“Prania e këtyre sloganeve në një ritual kulturor nuk është provë e drejtpërdrejtë e një strategjie shtetërore, por është indikator serioz i depërtimit të narrativave ekspansioniste në hapësira të pakontrolluara,” thekson ai, përcjell PressOnline.al
Sipas autorit, këto mesazhe janë të njohura nga luftërat e viteve ’90 në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë dhe bartin një ngarkesë të rëndë historike dhe simbolike.
Nga grafitet te presioni psikologjik
Kuçi paralajmëron se Vevçani nuk është rast i vetëm. Grafite dhe thirrje urrejtjeje të regjistruara në Kumanovë, Budva dhe Kollashin, sipas tij, po funksionojnë si “amplifikatorë socialë” të një narrative anti-shqiptare. “Qëllimi nuk është konflikti i menjëhershëm, por normalizimi gradual i diskursit të urrejtjes dhe krijimi i një klime frike,” nënvizon ai.
Në përfundim, analiza vë theksin se shqiptarët mbeten faktor kyç gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor, duke penguar projektet hegjemoniste për dalje strategjike drejt Adriatikut. “Normalizimi i anti-shqiptarizmit përmes formave hibride nuk është provokim lokal, por kërcënim i drejtpërdrejtë për stabilitetin rajonal dhe sigurinë afatgjatë,” përfundon Kuçi.(PressOnline.al)


