Microsoft ka kapërcyer një pengesë të madhe në përpjekjen për të blerë Activision Blizzard për 68.7 miliardë dollarë. Siç pritej, Bashkimi Evropian ka aprovuar blerjen.
Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, tha se Microsoft duhet të mbajë premtimet e dhëna se do të ofrojë lojërat e Activision edhe në platformat rivale përfshirë shërbimet cloud gaming.
Aktualisht Activision nuk ofron titujt në shërbimet cloud gaming. Rregullatorët Evropianë arritën në përfundimin se tregu është i vogël dhe ofrimi i lojërave të Activision në platformat cloud do ta ndihmonte të rritej.
BE-ja tha nëse Microsoft do të ofronte lojërat e Activision vetëm në shërbimet e saj cloud, kjo do të kishte dëmtuar konkurrencën.
Microsoft ka nënshkruar një marrëveshje 10-vjeçare me Nintendo dhe shërbimet cloud gaming si Nvidia GeForce Now dhe Boosteroid për ti bërë lojërat e disponueshme në to.
Si rezultat autoritetet thanë se përkushtimi i Microsoft adreson shqetësimet e tyre të konkurrencës.
Kujtojmë se muajin e kaluar autoritetet Britanike dolën kundër marrëveshjes duke thënë se i jep Microsoft kontroll dominues në tregun cloud gaming por jo në ekosistemin e konsolave. Pas vendimit të BE-së, autoritetet Britanike mbrojtën qëndrimin e tyre se Microsoft do të kishte fuqi të madh nëse aprovohet blerja. /PCWorld Albanian







