Nga 1 janari 2026 hyn në fuqi Ligji për Punësimin e Personave, një rregullore e re që synon të formalizojë punën sezonale dhe të krijojë kushte më fleksibile si për punonjësit, ashtu edhe për punëdhënësit. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, e cilësoi këtë risi ligjore si “revolucionare”, pasi për herë të parë vendos një kornizë të qartë dhe funksionale për angazhimet sezonale, me synimin për të ulur ekonominë informale dhe për të rritur transparencën në tregun e punës, informon PressOnline.al
Ligji i ri krijon mundësi të reja për disa kategori qytetarësh që do të mund të punojnë sezonalisht pa humbur statusin apo përfitimet që gëzojnë aktualisht. Pensionistët do të kenë mundësi të angazhohen pa rrezikuar pensionin e tyre, studentët ruajnë statusin studentor, të papunët nuk e humbin të drejtën për ndihmë sociale, ndërsa të punësuarit dhe të vetëpunësuarit mund të sigurojnë të ardhura shtesë në mënyrë të ligjshme. Përfituesit mund të angazhohen kryesisht në tre sektorë: bujqësi, hoteleri dhe shërbime.
Sipas Risteskit, ligji sjell një qasje më moderne dhe funksionale për tregun e punës. “Për herë të parë, kategorive të ndryshme u mundësohet të punojnë sezonalisht pa humbur përfitimet që tashmë i gëzojnë,” deklaroi ai.
Një nga risitë kryesore të ligjit është aplikacioni mobil për regjistrimin dhe çregjistrimin e punëtorëve sezonalë. Punëdhënësit do të mund të regjistrojnë punëtorët në kohë reale përmes telefonit, një proces që zgjat vetëm disa sekonda dhe që pritet të reduktojë ndjeshëm punën “në të zezë”. “Aplikacioni i ri do të sigurojë që çdo punëtor sezonal të jetë i regjistruar dhe i mbrojtur,” theksoi Risteski.
Ligji përcakton edhe kufizime të qarta për kohëzgjatjen e punës sezonale. Sektoret e ndryshëm lejojnë nga 120 deri në 180 ditë pune në vit, ndërsa çdo punonjës mund të angazhohet deri në 15 ditë pune brenda një muaji. Ky model, sipas autoriteteve, është projektuar për të ndihmuar bizneset në periudhat e ngarkuara si sezoni turistik apo ai bujqësor, duke u dhënë në të njëjtën kohë individëve mundësinë të sigurojnë të ardhura shtesë pa rrezikuar statusin e tyre profesional apo social.
Efektet e pritshme të ligjit përfshijnë formalizimin e punës sezonale, uljen e ekonomisë gri, rritjen e mbrojtjes ligjore për punonjësit, ofrimin e më shumë fleksibiliteti për punëdhënësit dhe rritjen e të ardhurave për familjet me të ardhura të ulëta. Autoritetet presin që ligji të ndikojë pozitivisht në tregun e punës, duke ofruar një mekanizëm të qartë dhe të sigurt për angazhimet sezonale, si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset. Ligji hyn në zbatim më 1 janar 2026.


