James Van Der Beek, aktori i njohur amerikan i cili fitoi famë për rolin e tij kryesor në serialin “Dawson’s Creek”, po kalon një periudhë të vështirë shëndetësore, pasi vitin e kaluar iu diagnostikua kancer i zorrës së trashë në stadin e tretë. Për të përballuar shpenzimet e trajtimit, 48-vjeçari ka vendosur të shesë disa nga kujtimet e tij më të çmuara nga xhirimet e serialit përmes një ankandi të organizuar nga Propstore, i cili do të mbahet nga 5 deri më 7 dhjetor. Të gjitha të ardhurat nga kjo shitje do të përdoren për mbulimin e kostove të trajtimit të tij.
Në këtë ankand, fansat kanë mundësinë të blejnë sende të veçanta që kanë shënuar serialin dhe karrierën e Van Der Beek. Midis tyre janë rrobat që ai mbante në episodin pilot të “Dawson’s Creek”, të cilat vlerësohen rreth 3,500 euro dhe një varëse që personazhi i tij, Dawson, i dhuroi Joey Potter për mbrëmjen e maturës, e cila pritet të arrijë një çmim midis 22,800 dhe 45,600 euro.
Përveç këtyre, në ankand do të ofrohen edhe kopaçet dhe kapele e tij nga filmi “Varsity Blues” (1999). Van Der Beek, i cili është baba i gjashtë fëmijëve, ka shprehur se është e vështirë të ndahet nga këto kujtime, të cilat i ka ruajtur me vite duke pritur momentin e duhur për t’i shpërndarë. Megjithatë, ai ndjen një kënaqësi të veçantë që mund t’i ndajë me fansat që e kanë mbështetur gjatë karrierës së tij. Për shkak të sëmundjes, aktori nuk mundi të marrë pjesë në ribashkimin e kastit të “Dawson’s Creek” pas 22 vjetësh, por përfaqësues në ngjarje ishin bashkëshortja e tij, Kimberly dhe gjashtë fëmijët.



