Kryeministrja ukrainase, Yulia Svyrydenko njoftoi dje një audit të gjithanshëm për të gjitha kompanitë kryesore shtetërore, në kushtet e skandaleve të zgjeruara të korrupsionit në sektorët e energjisë dhe mbrojtjes.
Sipas Svyrydenkos, kompanitë në këta dy sektorë do t’i nënshtrohen kontrolleve veçanërisht të rrepta.
Fokusi do të jetë transparenca në prokurimet shtetërore dhe kontrolli financiar.
Ajo përmendi posaçërisht kompaninë e naftës dhe gazit “Naftogaz” dhe sistemin hekurudhor ukrainas.
Në një postim të dytë, kryeministrja tha se procedura e tenderit për drejtimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Gazit të Ukrainës do të pezullohej, pasi një nga finalistët ishte përmendur në hetimet e autoriteteve kundër korrupsionit.
“Në këto kushte, vazhdimi i procesit të tenderit nuk është i pajtueshëm me parimet e transparencës, integritetit dhe besimit në proces”, shkroi ajo.
Oksana Kryvenko, e cila kishte punuar si këshilltare e ish-ministrit të Energjisë dhe Drejtësisë, German Galushchenko, kishte kaluar më herët fazën paraprake të përzgjedhjes.
Galushchenko është një nga dy ministrat që u detyruan të japin dorëheqjen mes asaj që zyrtarët ukrainas e përshkruajnë si një hetim mbi dyshimet për ryshfet të lidhura me projekte të infrastrukturës energjetike.
Byroja Kombëtare e Antikorrupsionit (NABU) dhe Prokuroria Speciale Antikorrupsion (SAP) thanë se po hetojnë ryshfete të dyshuara që përfshijnë kompaninë shtetërore bërthamore “Energoatom”.
Rasti lidhet me miliona euro ryshfete, të paguara gjatë ndërtimit të strukturave mbrojtëse të destinuara për të mbrojtur objektet energjetike nga sulmet ajrore ruse.


