Dogana e Kosovës ka konfiskuar 876 kilogramë duhan dhe 118 mijë cigare të dyshuara për kontrabandë gjatë një kontrolli në disa hapësira depoje në Prizren.
Sipas njoftimit të Doganës, njësitet e Sektorit Anti-Kontrabandë kanë realizuar kontrollin bazuar në informata të pranuara nga terreni.
Gjatë kontrollit janë gjetur 791 kilogramë duhan i grirë i paketuar dhe 85 kilogramë duhan i grirë i papaketuar.
Po ashtu, janë gjetur 21 mijë cigare të markës “Marble” pa banderolë, si dhe 97 mijë cigare me banderolë të Bosnjës dhe Hercegovinës, por pa banderolë të Republikës së Kosovës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Doganës dhe prokurori kujdestar. Personi përgjegjës për hapësirat ku është gjetur malli është arrestuar dhe, me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Malli i konfiskuar është dërguar për ruajtje nën mbikëqyrje doganore, ndërsa rasti po trajtohet në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente.


