Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, reagoi pas publikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSZH), duke theksuar se afati ligjor për mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura në katër komuna fillon që nga 29 tetori, dhe jo nga dita e shpalljes së fundit të rezultateve.
Sipas tij, që nga kjo datë ka nisur të rrjedhë afati 60-ditor për zhvillimin e zgjedhjeve në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Zhupë, ndaj mbajtja e tyre duhet të bëhet jo më vonë se fundi i dhjetorit.
“Duhet bërë dallimi ndërmjet konkluzionit për shpalljen përfundimtare të rezultateve zgjedhore dhe atij për përfundimin e zgjedhjeve. Ligji është i qartë – afati 60-ditor llogaritet nga shpallja e rezultateve përfundimtare, që në këtë rast është 29 tetori. Prandaj, zgjedhjet duhet të mbahen deri në fund të dhjetorit”, theksoi Snopçe.
Deputeti ngriti dyshime se vonimi i shpalljes së rezultateve nga KSZH-ja ka qenë i qëllimshëm dhe i koordinuar me qeverinë, për të shmangur periudhën kur mërgimtarët ndodhen në vendlindje. Ai tha se me këtë afat, duket qartë se qëllimi është që zgjedhjet të mbahen më 11 janar, vetëm pak ditë pasi mërgimtarët të jenë kthyer jashtë vendit.
“Ky vonim duket i qëllimshëm. Në vitin 2021, KSZH-ja njoftoi qeverinë vetëm gjashtë ditë pas përfundimit të raundit të parë, pa pritur raundin e dytë. Tani është vepruar ndryshe, me një vonesë të pajustifikueshme”, shtoi ai.
Snopçe i drejtoi apel Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, që të tregojë pavarësi dhe autonomi në ushtrimin e kompetencave të tij, duke caktuar datën e zgjedhjeve para Vitit të Ri, në mënyrë që procesi të përfundojë brenda afateve ligjore dhe mërgimtarëve t’u mundësohet votimi.
“Z. Gashi, tregoni madhështi – caktoni mbajtjen e zgjedhjeve para Vitit të Ri dhe mos i zhgënjejmë më mërgimtarët. Është në dorën tuaj të dëshmojmë forcën e vërtetë të mërgatës në këto katër komuna”, deklaroi ai.
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët ngriti gjithashtu një dilemë ligjore lidhur me nenin 132 të Ligjit për Zgjedhje, i cili përcakton se në rast se nuk arrihet cenzusi, procesi zgjedhor përsëritet. Sipas tij, ky nen duhet të interpretohet në mënyrë që përsëritja e zgjedhjeve të bëhet me të njëjtët kandidatë, dhe jo me kandidatë të rinj, për të shmangur pabarazinë dhe shtyrjet e panevojshme.
“Nëse lejohet paraqitja e kandidatëve të rinj, procesi bëhet i pabarabartë dhe praktikisht i pamundur të organizohet në afatin 60-ditor. Vetëm përsëritja me të njëjtët kandidatë ka logjikë ligjore dhe administrative”, u shpreh Snopçe.
Në përfundim, ai kërkoi që institucionet të tregojnë përgjegjësi dhe respekt ndaj ligjit dhe mërgatës, duke e mbyllur procesin zgjedhor brenda afateve që përcakton ligji dhe pa vonesa të qëllimshme.




