Sot në seancë plenare, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi komentoi vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e Gjykatës së Apelit duke theksuar se është dëshmi e qartë e dështimit të sistemit të sigurisë në gjykata dhe e mungesës së përgjegjësisë nga Ministria e Brendshme. Sipas Bardhit, një gjyqtar nuk duhet të jetë i ekspozuar ndaj rrezikut për të dhënë vendimin e tij.
Deputeti vuri në dukje se është detyrë e shtetit të garantojë sigurinë e gjyqtarëve dhe personelit në gjykata e shtoi se çdo lloj indiference nga autoritetet është e papranueshme.
Unë besoj se seanca duhej të kishte nisur me dorëheqjen e ministres së Brendshme, Albana Kociu. Eshtë e paimagjinueshme që një gjyqtar të vritet në sallën e gjykatës, teksa lexon vendimin gjyqësor sipas bindjes së tij të lirë dhe Ministria e Brendshme të japë opinionin publik se Policia e Shtetit nuk ka detyrime për të garantuar sigurinë në Gjykatën e Apelit.
Sipas legjislacionit në fuqi, është detyrë e shtetit të garantojë sigurinë në rrugët dhe ambientet e tij. Detyrimi është nxjerrë zbuluar nga KLSH-ja, që publikoi korrespondencën me ministrin e Brendshëm, ku kërkohej ndërhyrje për shkak të ngjarjeve që kishin ndodhur në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtarët ishin ndjerë të kërcënuar.
Kjo ngjarje tronditi jo vetëm opinionin publik shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar, pas sqarimit e reagimit që bëri ministria, ku shprehu se nuk ka punonjës policie që kanë qenë përgjegjës dhe se nuk ka pasur asnjëherë veprim në gjykatë.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa hodhi akuza ndaj ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, teksa kërkoi dorëheqjen e tij e të ministres së Brendshme duke i akuzuar për mosgarantimin e jetës së qytetarëve shqiptarë, si dhe të aktorëve të drejtësisë.
Turp të të vijë që po bën avokatin e një vrasësi! Si zv.ministër i Brendshëm nuk i je përgjigjur thirrjes për ndihmë që ka kërkuar KLGJ-ja. Turp të të vijë që nuk mban përgjegjësi, bashkë me kolegen, për vrasjen në sallën e gjyqit të një gjyqtari që jepte vendim në emër të Republikës së Shqipërisë.
Policia e Shtetit thotë se nuk ka kapacitet për të mbrojtur një gjyqtar. Çfarë kapaciteti keni të mbroni qytetarin? Jeni promovuar për këtë mospërgjegjshmëri.







