Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, prezantoi vizionin e tij për një komunë moderne dhe gjithëpërfshirëse, ku qytetarët me nevoja të posaçme do të kenë mbështetje të plotë dhe kushte dinjitoze jetese, përcjell PressOnline.al.
“Çairi do të jetë komunë për të gjithë. Vizioni ynë është ndërtimi i një mjedisi të barabartë dhe të qasshëm, ku askush nuk mbetet pas,” theksoi Mexhiti.
Ai paralajmëroi një projekt madhor për ndërtimin e një shkolle të re dhe moderne për fëmijët me nevoja të posaçme, në parcelën e shkollës “Idnina”. Institucioni i ri do të ketë kapacitet prej 150 deri 200 nxënësish, hapësira funksionale në dy kate, klasa të specializuara për autizëm dhe për çdo kategori tjetër të posaçme, si dhe sipërfaqe prej 8.000 m², e dedikuar për mësim, pushim, fjetje dhe rekreacion. Shkolla do të jetë e para dhe unike në vend, duke shërbyer fëmijëve nga 27 komuna të ndryshme.
Përveç infrastrukturës, Mexhiti theksoi se Komuna e Çairit do të mbështesë organizimin e aktiviteteve kulturore, rekreative dhe shoqëruese për personat me nevoja të posaçme, me synim nxitjen e përfshirjes dhe mirëqenies së tyre sociale.
“Çdo hap që ndërmarrim ka një synim të qartë: ta bëjmë Çairin komunë moderne, humane dhe të barabartë,” deklaroi Mexhiti.



