Infiltrimi i botës serbe në përditshmërinë politike në vend, çdo ditë e më shumë po diskutohet në qarqet politike dhe publike, e njëjta ishte temë diskutimi edhe në pyetjet e deputetëve, ku deputeti i AKI-së, Halil Snopçe, pyeti kryeministrin se janë të vërteta pretendimet për frymën serbe në RMV të konstatuara edhe në raportin e Parlamentit Evropian.
“Konstatimet e shkruara në raportin e fundit të PE-së janë të përgatitura nga Tomas Vajc, në lidhje me ndikimin e “botës serbe” në Maqedoni. Ato konstatojnë njëzëri se RMV-ja ka qenë dhe vazhdon të mbetet nën kontrollin e plotë të Serbisë. Është konstatim i tyre, nuk e them unë. Dhe një konstatim tjetër thotë se sukses më i madh i Beogradit, përmendin ato, është se ata vlerësojnë që kanë arritur të instalojnë strukturat e tyre te VMRO-DPMNE, përsëri nuk e them unë, e thonë ato. Po ashtu në raportin e Parlamentit Evropian potencohet në mënyrë shumë konkrete koncepti i ashtuquajtur “bota serbe”, edhe atë në shtatë pasuse po përmendet ndikimi i jashtëm në shtetin tonë.”, – deklaroi deputeti i AKI-së, Halil Snopçe.
Por, në këtë u përgjigj kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, i cili theksoi se deputeti Snopçe nuk po e thotë të vërtetën dhe se po luan në baza etnike.
“Unë do t’ju japë vetëm dy argumente. Kemi hapur dy pika kufitare të shpejta me Republikën e Kosovës, edhe ato janë hapur të parat, atë që ju dhe koalicioni juaj, BDI, nuk e kanë bërë për 20 vite. Pastaj hajde të flasim se a ishte Qeveria e VMRO-DPMNE-së që pranoi pavarësinë e Kosovës. Por, këto çështje janë më pak të rëndësishme, ideja është hajde të flasim se si ndodhi, që komuna e Gostivarit nga një komunë me 85 mijë qytetarë, u bë në 59 mijë qytetarë. Hajde të flasim se si t’i kthejmë njerëzit në shtëpi.”, – theksoi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Përfshirja e botës serbe në vend ka ngjallë interesim tek opinioni i gjerë, sidomos tani prej shpalljes së zgjedhjeve lokale dhe çdo ditë e më shumë po merr hov diskutimi në opinion përmes kundërshtimeve dhe përplasjeve të partive politike dhe kandidatëve të tyre për kryetar të komunave.







