Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, duke rikujtuar se çështja kryesore lidhet me faktin se pikërisht VMRO-DPMNE në vitin 2015 i dha koncesionin për minierën “Kazandoll”. LSDM thekson se, ndryshe nga opozita e atëhershme që u vu kundër interesit të qytetarëve të rajonit juglindor, qeveria socialdemokrate në vitin 2018 e ndërpreu marrëveshjen dhe e fitoi arbitrazhin në favor të shtetit.
Në vazhdim po ua sjellim të plotë kumtesën e LSDM-së:
Ndërsa kryeministri Mickoski përpiqet ta shtrembërojë të vërtetën dhe të flasë për arbitrazhet që LSDM i fitoi, pyetja e vërtetë për të cilën duhet të japë përgjigje është: pse VMRO-DPMNE e dha koncesionin për “Kazandollin” në vitin 2015?
A ndodhi kjo sepse interesat e biznesit ishin më të rëndësishme se qytetarët?
Pse VMRO-DPMNE doli kundër qytetarëve të rajonit juglindor, të cilët ishin kundër hapjes së minierave?
Këto janë pyetjet për të cilat Mickoski dhe VMRO-DPMNE duhet të japin përgjigje.
Ndërkohë, dihet se Qeveria e LSDM-së në mars 2018 e ndërpreu marrëveshjen për “Kazandollin” dhe u vu në krah të qytetarëve. Pikërisht kjo qeveri e LSDM-së e çoi deri në fund procedurën e arbitrazhit për Kazandollin, e cila përfundoi me sukses në interes të shtetit dhe tani pritet vetëm vendimi zyrtar.
Falë rezistencës qytetare dhe vendimeve të qeverisë së LSDM-së, sot miniera “Kazandol” nuk ekziston, ndërsa shteti e fitoi arbitrazhin. Kjo është e vërteta e plotë.


