Izraeli ka miratuar projektin për ndërtimin e një vendbanimi në Bregun e pushtuar Perëndimor, që në praktikë do të ndante territorin palestinez në dy pjesë.
Ky projekt, sipas palestinezëve dhe grupeve për të drejtat e njeriut mund të shuajë shpresat për një shtet palestinez në të ardhmen.
Zhvillimi i vendbanimit për kolonët, që është një hapësirë e hapur toke në lindje të Jerusalemit, ka qenë në shqyrtim për më shumë se dy dekada, por projekti u ngri për shkak të presionit të Shteteve të Bashkuara gjatë administratave të kaluara.
Komuniteti ndërkombëtar gjerësisht konsideron se ndërtimi i vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor është i paligjshëm.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka kundërshtuar idenë e krijimit të një shteti palestinez dhe është zotuar se do të mbajë nën kontroll pa një afat të caktuar Bregun e pushtuar Perëndimor, Jerusalemin e aneksuar Lindor dhe Rripin e Gazës ku po zhvillon luftë, territore që Izraeli mori nën kontroll gjatë luftës së vitit 1967.
Më shumë se 700.000 kolonë izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.
Vendndodhja e re është e rëndësishme sepse është një prej lidhjeve të fundit gjeografike mes qyteteve të mëdha të Bregut Perëndimor, Ramallahut në veri dhe Betlehemit në jug.
Nëse procesi ecën shpejt, ndërtimi infrastrukturor i këtij vendbanimi mund të nisë brenda muajsh dhe ndërtimi i shtëpive mund të fillojë brenda një viti.
Plani përfshin rreth 3.500 banesa që do të kufizohen me koloninë ekzistuese./vizionplus.tv


