Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka akuzuar se tenderi për organizimin e provimeve për patentë shoferi në Ministrinë e Punëve të Brendshme është një skandal që “i vjen erë korrupsion”, përcjell PressOnline.al.
Zëdhënësja e LDSM-së, Bogdanka Kuzeska, tha se një kompani e sapokrijuar, pas së cilës qëndron një këshilltar i VMRO-DPMNE-së, ka fituar një kontratë milionëshe dhe një monopol pesëvjeçar për organizimin e provimeve në qytetet Manastir, Prilep dhe Resnjë, pavarësisht se nuk plotësonte kushtet bazë për funksionim. Ajo shtoi se MPB-ja së pari e kishte licencuar kompaninë, ndërsa tani e njëjta qendër e provimeve është mbyllur për shkak të mungesës së dokumentacionit, stafit profesional dhe automjeteve.
“A u dha ky tender milionësh vetëm sepse pas kompanisë qëndron një këshilltar i VMRO-DPMNE-së? Këto janë tregues të qartë për një tender të paracaktuar dhe korrupsion, të cilat duhet të hetohen,” tha Kuzeska.
LSDM kërkon që Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të hapë një rast dhe Prokuroria të nisë një hetim për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme. (PressOnline.al)


