Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) nuk arriti të miratojë udhëzimin për numrin e këshilltarëve në këshillat komunal dhe në Qytetin e Shkupit, për shkak të kërkesës së anëtares së KSHZ-së, Ditmire Shehu, që vendimi të merrej me konsensus. Megjithatë, kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, ka paralajmëruar se udhëzimi do të vihet përsëri në votim të premten, këtë herë me shumicë votash, siç e lejon Kodi Zgjedhor, përcjell PressOnline.al.
Shehu u bazua në dispozitat për mbrojtjen e komuniteteve jo-shumicë, duke theksuar se numri i këshilltarëve nuk mund të bazohet në vendime qeveritare lidhur me regjistrimin e popullsisë, por vetëm në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale. Votimi i fundit për udhëzimin përfundoi me pesë vota “pro” dhe dy “kundër”, që nuk ishte i mjaftueshëm për konsensus.
Kryetari Kondarko tha për gazetën Veçer, se udhëzimi pritet të miratohet të premten me procedurë të parashikuar ligjore dhe se është e mundur që disa anëtarë të kërkojnë më pas shqyrtim para Gjykatës Administrative, përcjell PressOnline.al. Ai shtoi se sipas nenit 31, pika 34g të Kodit Zgjedhor, kur vendimi i KSHZ-së prek interesat e komuniteteve jo-shumicë, çdo anëtar që përfaqëson një komunitet të tillë ka të drejtë të kërkojë vendim me konsensus. Në këtë rast, votimi i fundit tregoi se konsensusi nuk u arrit dhe udhëzimi nuk u miratua.
Vendimi për numrin e këshilltarëve është i pritshëm të premten dhe do të përcaktojë strukturën e këshillave komunalë dhe të Qytetit të Shkupit për zgjedhjet e ardhshme. (PressOnline.al)


