Ushtria e Maqedonisë së Veriut pritet të përforcohet ndjeshëm këtë vit me armatim dhe pajisje të avancuara, sipas fjalëve së fundit të Ministrit të Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, përcjell PressOnline.al.
Mes pajisjeve të reja janë pjesë e armatimit të këmbësorisë, si armë automatike, mitralozë, hedhëse granatash, uniforma dhe çizme, si dhe pajisje për ABHO dhe makina inxhinierike.
Sistemet artilerike „Borani“, të blera nga Turqia, tashmë janë pjesë e arsenalit ushtarak, ndërsa pajisjet për komunikim, mbrojtje kibernetike dhe kriptografi janë siguruar përmes shtatë marrëveshjeve me SHBA-të, që përfshijnë edhe dronë, pajisje për njësitë e zbulimit dhe të forcave speciale.
Ministri Misajllovski theksoi se forcat ushtarake do të pajisen edhe me sistemin kundër-tank „JAVELIN“, i cili do të instalohet në pjesë të automjeteve të blinduara JLTV dhe STRYKER.
Poashtu, është duke u zhvilluar projekti për “Automjete Speciale për Qëllime të Veçanta“ që do të sigurojë pajisje për transport dhe furnizim të njësive ushtarake, ndërsa vazhdon edhe blerja e helikopterëve të rinj, të cilët do të ndihmojnë veçanërisht në situata emergjente si zjarret në të gjithë vendin, informon PressOnline.al
Bashkëpunimi me aleatët mbetet kyç: SHBA-të ofrojnë mbështetje financiare, Britania e Madhe furnizon me pajisje individuale, ndërsa Turqia ka siguruar rreth 4.000 komplete uniformash luftarake dhe po punohet edhe për 3.400 çizme dhe 1.800 komplete të tjera uniforme.
Me ndihmën e Fondit Evropian për Paqe, janë siguruar gjithashtu mjete mjekësore, makina inxhinierike, dozerë, simulatorë për pacientë, pajisje për deminim dhe robotë për neutralizimin e mjeteve shpërthyese, si dhe pajisje të tjera logjistike që do të rrisin kapacitetin operativ të ushtrisë.
Forcimi i ushtrisë së Maqedonisë së Veriut vjen si pjesë e strategjisë për modernizimin e kapaciteteve dhe për të garantuar gatishmëri të lartë në çdo situatë emergjente.(PressOnline.al)


