Me argumentin se nuk mund të prishë provat dhe se drejton një parti të rëndësishme në arenën politike të vendit, ish-presidenti Ilir Meta i është drejtuar Gjykatës së Posaçme, ku ka kërkuar lirinë.
Në shkresën e depozituar nga avokati i tij thuhet se ndryshimi i masës së sigurisë mund të bëhet, pasi SPAK ka mbyllur hetimet dhe dosja pritet të kalojë për gjykim. Kjo, për palën mbrojtëse, tregon se në këtë fazë i akuzuari nuk mund të prishë provat.
“Ka edhe një element tjetër që gjykatat s’e kanë marrë parasysh dhe me dashje e kanë anashkaluar: fakti që është edhe politikan aktiv, presidenti i Partisë së Lirisë. I kërkojmë gjykatës pranimin e kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurimit personal për të pandehurin Ilir Metaj në një masë tjetër që të jetë proporcionale me rrethanat e krijuara, por edhe me personalitetin e tij. Për ne, masa më e përshtatshme është ajo e ndalimit të daljes jashtë shtetit, parashikuar nga neni 232 i Kodit të Procedurës Penale.”
Kërkesa e Ilir Metës vjen pak ditë pasi ish-presidenti u njoh zyrtarisht nga SPAK me mbylljen e hetimeve, ndërkohë që tashmë pritet që dosja ndaj tij të kalojë për gjykim.
Prokuroria e Posaçme e akuzon presidentin e Partisë së Lirisë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, akuza të ngritura në bazë të hetimeve për dosjen e lobimit të LSI-së në SHBA dhe aferën e dyshuar korruptive CEZ-DIA.
Para Metës, ishte Monika Kryemadhi, e ëma e saj Fatime Kryemadhi, si dhe dy bashkëpunëtorët e tyre të akuzuar nga SPAK, Ema Çoku dhe Pirro Xhixho, të cilët u njohën gjithashtu me faktin e mbylljes së hetimeve.
/vizionplus.tv


