Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) pritet që deri në fund të javës të precizojë Udhëzimin për dorëzimin e kandidaturave, duke përfshirë edhe ato të kandidatëve të pavarur. Aktualisht, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi detyrimin për mbledhjen e nënshkrimeve, kushdo mund të kandidojë pa këtë procedurë, informon PressOnline.al
Ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor për rregullimin e çështjes kanë ngecur në Kuvend për shkak të mungesës së shumicës së Badenterit. Ndërkohë, disa të pavarur po shqyrtojnë krijimin e partive për të siguruar pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.
Kryeministri Hristijan Mickoski ka theksuar se vendimi është në duart e KSHZ-së, ndërsa kryetari i saj, Boris Kondarko, ka paralajmëruar se Udhëzimi i ri do të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit.
Në mars 2024 ishte rritur ndjeshëm numri i nënshkrimeve të nevojshme për kandidatët e pavarur, por këto ndryshime u shfuqizuan në maj nga Gjykata Kushtetuese si diskriminuese. Tani, nuk ka asnjë kufizim ligjor për pjesëmarrjen e tyre.(PressOnline.al)


