Kondarko: Komisioni Zgjedhor do të pranojë kandidatura të pavarura për zgjedhjet lokale pa nënshkrime të qytetarëve

featured
Press Online
11 Gusht 2025, 11:57

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Boris Kondarko, thotë se në Ligjin Zgjedhor është dhënë e drejta për kandidatët dhe listat e pavarura që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, të cilët në Kodin Zgjedhor quhen „grup zgjedhësish“.

„E drejta për pjesëmarrje e ‘grupit të zgjedhësve’ është e garantuar direkt me ligj dhe Komisioni nuk ka pse të vendosë për këtë, por do të zbatojë nenin 60 të Kodit Zgjedhor“, deklaroi Kondarko për SAKAMDAKAZAM.MK, përcjell PressOnline.al.

Sipas Kondarkos, nëse deputetët nga VMRO-DPMNE, LSDM, VLEN dhe BDI nuk miratojnë ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor, KSHZ do të nxjerrë udhëzime për kandidim të pavarur pa mbledhje nënshkrimesh. Në këtë mënyrë, kandidatët e pavarur nuk do të detyrohen të formojnë parti për të marrë pjesë në zgjedhje, nëse nuk dëshirojnë.

„Mbetet të shihet nëse para fillimit të afatit ligjor për mbledhjen e nënshkrimeve (10 ditë pas shpalljes së zgjedhjeve), Kuvendi do t’i miratojë ndryshimet ligjore për të përcaktuar numrin e nevojshëm të nënshkrimeve. Nëse nuk i miraton, KSHZ do ta saktësojë Udhëzimin për dorëzimin e listave në mënyrë që të zbatojë nenin 60 pa mbledhje nënshkrimesh“, shtoi Kondarko.

Ky sqarim i Kondarkos vjen pasi disa organizata, mes të cilave edhe “Qytet i Gjelbër dhe Human“, njoftuan se do ta vazhdojnë procesin e mbledhjes së nënshkrimeve për formimin e një partie politike.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter