Numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM në fund të tre mujorit të dytë të 2024 ishte 3,689 milionë, një rënie prej 1.7 përqind në krahasim me tre mujorin e kaluar dhe 2.8 përqind me të njëjtën periudhë një vit më parë.
Ndërkaq numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare ishte 2,782 milionë, një rritje me 2 përqind krahasuar me tre mujorin e kaluar por rënie masive me 7.9 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar.
Vodafone Albania udhëheq tregun sa i përket përdoruesve aktivë me 1,327 milionë ndjekur nga One Albania me 1,245 milionë. Të dy kompanitë fituan terren duke u rritur me 2.1 përqind dhe 1.9 përqind respektivisht krahasuar me tre mujorin e kaluar por janë me humbje prej 2.9 përqind dhe 12.6 përqind respektivisht krahasuar me vitin e kaluar.
Ndërkaq One Albania ka numrin më të lartë të pajtimtarëve sipas kartave SIM me 1,866 milionë ndjekur ngushtë nga Vodafone Albania me 1,832 milionë.
Të dy kompanitë vijuan reduktimin e numrit të përdoruesve me parapagesë. 61.8 përqind e pajtimtarëve të One Albania janë me parapagesë ndërsa për Vodafone Albania kjo shifër është 55.2 përqind.
Mesatarisht përdoruesit konsumuan 8.78GB internet në muaj, një rritje e lehtë me 3.9 përqind krahasuar me tre mujorin e kaluar por masive prej 20.1 përqind krahasuar me vitin e kaluar.
Përdoruesit mesatarisht konsumojnë 127 minuta dhe 13 SMS në muaj. /PCWorld Albanian


