Elon Musk po përgatit një nga projektet industriale më ambicioze të perandorisë së tij teknologjike: ndërtimin në Teksas të një fabrike gjigante për prodhimin e gjysmëpërçuesve, të quajtur “Terafab”. Projekti parashikon bashkëpunimin e kompanive të Mask, përfshirë Tesla dhe SpaceX, me synimin për të siguruar kapacitete të mëdha prodhuese për çipat që nevojiten në automjetet autonome, robotikë, inteligjencë artificiale dhe teknologjitë hapësinore.
Sipas medias franceze Journal du Geek, projekti përfshin investime fillestare prej rreth 16 miliardë dollarësh, një shumë që media e krahason me buxhetin vjetor të drejtësisë franceze. Ambicia e projektit shkon përtej një fabrike tradicionale çipash. Madk synon që “Terafab” të arrijë një kapacitet prodhues të lidhur me një teravat fuqi përllogaritëse në vit, duke krijuar një zinxhir të integruar për teknologjitë e kompanive të tij. Megjithatë, projekti mbetet jashtëzakonisht ambicioz dhe ende nuk ka një afat të konfirmuar për vënien e plotë në funksion.
Nisma vjen në një moment kur zhvillimi i inteligjencës artificiale ka shtuar ndjeshëm nevojën për çipa dhe komponentë kompjuterikë. Pikërisht sigurimi i furnizimit me gjysmëpërçues konsiderohet një nga sfidat strategjike për kompanitë teknologjike që po investojnë miliarda në AI. Nëse realizohet në përmasat e paralajmëruara, “Terafab” mund të kthehet në një nga komplekset më të mëdha të prodhimit të gjysmëpërçuesve në botë dhe t’i japë Musk më shumë kontroll mbi një prej hallkave më të rëndësishme të industrisë së inteligjencës artificiale.


