Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani e Visar Korenica, pritet që nesër (01.10.2024) të bëjnë publike kandidimin në zgjedhjet e 09.02.2025 si pjesë e Listës Familja.
KALLXO.com ka mësuar se Rrahmani e Korenica pritet t’i bashkohen koalicionit AKR-PD.
Lidhur me ketë çështje, deputeti Eman Rrahmani ka ftuar konferencë për media të martën në ora 11:00.
“Të pranishëm në këtë ngjarje do të jenë edhe përfaqësuesit e AKR-së; PD-së me në krye prof. Dr. Ferid Aganin; grupi i intelektualëve dhe ekspertëve të prirë nga z. Fatmir Smajli, deputeti Visar Korenica si dhe figura të tjera të nderuara”’- thuhet në njoftim.
Konferenca pritet të mbahet para hyrjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ka deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës që do t’i bashkohen kësaj liste.
Partia e Drejtësisë udhëhiqet nga Ferid Agani, ndërsa Aleanca Kosova e Re nga Behgjet Pacolli.
Deputetët e LVV-së, Eman Rrahmani e Visar Korenica, gjatë mandatit të tyre si deputetë të kësaj partie disa herë kanë dalë me qëndrime kundër grupit parlamentar të LVV-së.
Pas seancës së fundit, Rrahmani e Korenica deklaruan se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim në Kuvendin e Kosovës, pa u kthyer në shkollë nxënësja në Pejë, e cila për shkak të mbulesës nuk i është lejuar të vazhdojë procesin mësimor në gjimnaz./Kallxo.com


