Integrimi në BE, çelësi për sigurinë dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut

featured
Press Online
28 Shtator 2024, 10:43

Nuk mundet të zëvendësohet korniza negociuese, e as BE-ja nuk mund të japë garanci shtesë se nuk do të ketë kërkesa të tjera. Ky është konstatimi i përgjithshëm i pjesëmarrësve në debatin kushtuar temës “Ardhmëria evropiane e vendeve të rajonit”.

Sipas profesorëve universitar dhe OJQ-së, elitat politike në vend të mos e shmangin problemin, por t’i rreken punës. Të pranojnë realitetin dhe t’i kryejnë detyrat shtëpiake, sa i përket ndryshimeve kushtetuese, që garantojnë të ardhmen e sigurt evropiane të vendit.

“Është fakt se rrugëtimi ynë është i përcaktuar në kornizën negociuese dhe ky rrugëtim nuk mund të ndryshohet. Po ndodhemi në një situatë mes asaj që nuk dëshirojmë të bëjmë dhe asaj që duhet patjetër të bëjmë dhe kjo nuk është e hera e parë. Duhet të zgjedhim mes dy rrugëtimeve, sa i përket politikës së jashtme. E para është të qetësojmë situatën dhe të normalizojmë marrëdhëniet me Bullgarinë, ku bashkërisht me Sofjen do të kërkojmë zgjidhje dhe e dyta është të injorojmë problemin, i cili me kalimin e kohës do të metastazojë edhe më shumë.”, – deklaroi profesori universitar për Studime Politike, Nenad Markoviq, përcjell PressOnline.al

“Ndarja e rrugëtimit evropian të RMV-së dhe Shqipërisë nuk ishte diçka e papritur dhe nuk na befasoi. Sinqerisht këtë gjë nuk duhet të na demotivojë, e ta kuptojmë si fund i botës dhe të lejojmë të ndikojë në rritjen e euroskepticizmit. Nëse ekziston vullnet të mirë në Shkup dhe Sofje për të ndërmarrë hapa urgjente dhe t’i tejkalojmë çështjet senzitive, ne mundemi ta kompensojmë këtë vonesë që do ta kemi me Shqipërinë.”, – theksoi Ana Kërstinovska nga OJQ “Estima”.

Përfaqësuesit e Fondacionit “Konard Adanuer” në Shkup dhe të Qendrës për studime evropiane në Bruksel theksojnë rëndësinë e integrimit të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE në hartën e ruajtjes së sigurisë në të gjithë Evropën.

“Integrimi evropian është çelësi edhe për të përforcuar sigurinë dhe stabilitetin në Evropë dhe bashkëpunimi rajonal. Integrimi Evropian është i pashmangshëm, por me çfarë hapash i njëjti do të zhvillohet, kjo do të varet edhe nga përbërja e re e Komisionit Evropian.”, – u shpreh Gevin Sinopt nga Qendra për Studime Evropiane – Bruksel, përcjell PressOnline.al

“Ballkani Perëndimor nuk është tërësisht i integruar në BE dhe në NATO, gjë e cila para së gjithash mund të ndikojë në proceset e tërësishme gjeopolitike në rajon. Kemi edhe probleme të pazgjidhura në rajon, këtu mendoj mes Serbisë dhe Kosovës, por pavarësisht kësaj, jemi këtu për të dhënë mbështetje për përforcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në të gjitha vendet e rajonit.”, – deklaroi Daniel Braun nga Fondacioni “Konard Adanuer” – RMV.

Komiteti i përfaqësuesve të përhershëm pranë BE-së vendosi që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të ndajnë rrugën për integrim në familjen e madhe, respektivisht Tirana zyrtare të mbajë konferencën e dytë ndërqeveritare me Unionin dhe të vazhdojë të hapë klasterin e parë, ndërsa RMV-ja të bëjë ndryshimet e nevojshme kushtetuese që dalin nga korniza negociuese.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter