Korsi të dedikuara për autobusët, Veliaj: Projekti i ri i jep zgjidhje ngarkesës në rrugë

featured
Press Online
09 Gusht 2024, 19:17

Në Tiranë ka nisur të zbatohet projekti për krosi të dedikuara për autobusët. Segmenti i parë do të jetë “Rrethrrotullimi Zogu i Zi – 21 Dhjetori” – Vasil Shanto”, – kryqëzimi i Brrylit dhe “rruga e Kavajës – kryqëzimi 21 Dhjetori.

“Po e fillojmë nga Njësia 7, në segmentit nga ‘Zogu i Zi’ në drejtim të ’21 Dhjetorit’ dhe ‘Vasil Shantos’, ku do të kemi edhe korsi për biçikletat dhe monopatinat. E gjetëm Tiranën me 1% të qytetarëve që përdornin biçikleta, kurse sot jemi në 10%. Sa më shumë inkurajojmë këto korsi, aq më shumë ngarkesë heqim nga rruga. Çdo njeri që zgjedh një mënyrë alternative – në këmbë, me biçikletë apo monopatinë –  praktikisht, i ka ikur trafikut dhe ka ndihmuar edhe ata që lëvizin me autobus, edhe shoferët”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u ndal edhe te zgjidhja e problemit te vendi i njohur si nyja e “Kastriotëve”. Ai tha se aty do të ndërhyhet duke krijuar një rrethrrotullim, si nyje lidhëse e rëndësishme për qytetarët e Kodër-Kamzës.

“Një nga ndërhyrjet kryesore ka të bëjë me nyjen e ‘Kastriotëve’. Aty do të punojmë për një rrethrrotullim të madh, që do të jetë një shpëtim për të gjithë ata qytetarë që shkojnë e vijnë nga Tirana. Lidhet një lagje shumë e rëndësishme e Tiranës, që është pjesa e Njësisë 11 përtej lumit, si Kodër-Kamza, dhe sigurisht është lehtësim për të gjithë qytetarët fantastikë të Kamzës, një krah pune i jashtëzakonshëm që vjen çdo ditë në Tiranë, por edhe për studentët e mrekullueshëm të Kamzës, që vijnë për të studiuar në Universitet e Tiranës”, tha ai.

Projekti i korsive të dedikuara parashikon edhe vendosjen e stacioneve në internet “Google Maps”, pajisjen e tyre me tabela informuese, numrin e itinerarit, etj. /vizionplus.tv

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter