Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditura të dhënat paraprake të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024).
Sipas të dhënave të publikuara në Kosovë jetojnë 1,586,659 banorë ku prej tyre 795,046 meshkuj dhe 791,614 femra.
Sipas rezultateve preliminare, deri tani ka rreth 600 mijë nga diaspora.
“Nuk presim të kemi ndryshim të madh me rezultatet përfundimtare”, ka theksuar kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati.
Sipas rezultateve të ASK-së, ka një rritje të moshës për 4.85 vjet, ku në regjistrimin paraprak gjatë vitit 2011 mosha mesatare ishte 29 vjet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para prezantimit të rezultateve paraprake të Regjistrimit të Popullsisë, e ka vlerësuar këtë proces si një ndër projektet më të rëndësishme për Qeverinë.
Ai i ka falënderuar institucionet vendore, qytetarët dhe Agjencinë e Statistikave të Kosovës për kontributin e tyre të çmuar.

“Ky regjistrim nuk është veç një regjistrim statistikor, është pasqyrim për të kuptuar nevojat e popullatës tonë… Statistikat janë si GPS i të ardhmes tonë. Jemi të sigurt se nuk do ta humbim rrugën në zhvillimin tonë, duke u bazuar në dëshmi të qarta dhe transparente”, ka theksuar Kurti në konferencën për publikimin e rezultateve.
Kryeministri po ashtu e vlerësoi koordinimin mes Qeverisë dhe ASK-së, duke e cilësuar këtë regjistrim si shembull të bashkëpunimit dhe harmonisë në vend.
“Realizimi i regjistrimit të popullsisë ishte një ndër projektet më me prioritet të qeverisë. Ky regjistrim nuk është veç një regjistrim statistikor, është pasqyrim për të kuptuar nevojat e popullatës tonë…në një mënyrë statistikat janë si GPS i të ardhmes tonë. Jemi të sigurt se nuk do ta humbim rrugën, pa to do përfundojmë në rrotullime zig-zage. Statistikat janë e mirë publike dhe duhet përdorur për marrjen e vendimeve bazuar në dëshmi. në demokraci marrja e vendimeve duke u bazuar në statistika është me rëndësi për të punuar në transparencë”, ka deklaruar Kurti.
Ai gjithashtu ka theksuar se vizitoi personalisht ASK-në për të monitoruar përgatitjet dhe për të ofruar mbështetjen e tij.


