Tema e Diplomës e Lum Borovcit, një “libër gatimi” për studentë dhe kërkues në fushën e stabilitetit të sistemeve kardio-respiratore

featured
Press Online
05 Korrik 2024, 06:51

Për mua, një student i cili ka kryer shkollën e mesme në Kosovë dhe vitet universitare në Shqipëri, të kurorëzohem me një çmim si ky, pa dashur të tingëlloj shumë inxhinierik, është njëfarë kompletimi i qarkut për mua.”

Këto ishin fjalët e Lum Borovcit në Mbrëmjen Gala të edicionit të 12-të të Albanian ICT Awards, pasi u shpall fitues i çmimit Diploma e Vitit.

Rrugëtimi i Lumit, një student ekselent, nga bankat e shkollës së mesme në Prishtinë tek auditorët e Universitetit Epoka në Tiranë, përfaqëson vlerat më të spikatura të një gare mbarëkombëtare e inovative siç është Albanian ICT Awards.

Për mua është si të jem fitues i një prej finaleve të NBA,” u shpreh Lumi në Mbrëmjen Gala, i zhytur në emocione të forta. Përpos degës së tij në Inxhinieri Elektronike, ku Lumi ka diplomuar, ai është një entuziast i madh i shkencave llogaritëse dhe natyrore, entuziazëm ky i cili shërbeu si bazë për projektet e tij gjatë viteve universitare dhe temës së diplomës.

Aktualisht ai punon si Inxhinier Solar në departamentin e shitjes në një kompani në Prishtinë, ndërsa rrugëtimi i tij në kërkim të dijes do ta dërgojë këtë vjeshtë në Universitetin Padova në Itali për të vijuar studimet në degën e Inxhinierisë së Sistemeve të Kontrollit.

Tema e tij e Diplomës, Teoria e Kaosit dhe Aritmisë: Një qasje Dinamike ndaj Kujdesit Kardiak, harton një kornizë pune për të eksploruar stabilitetin e sistemit kardio-respirator të njeriut nëpërmjet modelimit matematikor të tij, duke përdorur koncepte nga Dinamikat jo-lineare, Sistemet e Kontrollit dhe Metodat Llogaritëse.

Të gjitha këto koncepte, në kapitullin final të punës, konkretizohen së bashku me gjetjet e fundit të fushës së reanimimit kardiak – duke përdorur pajisje ekzistuese si EKG-ja (Elektrokardiograma) por duke ndryshuar qasjet e piketimit, mbledhjes së analizave të të dhënave, gjetjet tregojnë se në rastin ekstrem të nevojës për reanimim, praktikat mjekësore mund të përshtaten më shumë në raport me rastin specifik të pacientit, në mënyrë që gjasat e një reanimimi të suksesshëm të rriten.” – thotë Lumi.

Një punë e frymëzuar në masë të madhe nga bashkëpunimi dhe përkushtimi i dy profesorëve të Lumit, Prof. Klaudio Peqini dhe Prof. Ervin Kafexhiu, të cilët erdhën me idenë e krijimit të një kompjuteri Analog, kjo iniciativë i dërgoi në temën ekzistuese të diplomës, nga vetë hulumtimi dhe kurioziteti i cili vijoi.

Lumi beson se tema e diplomës së tij mund të shërbej si një “cookbook”, apo “libër gatimi”, për studentë dhe kërkues të cilët dëshirojnë të angazhohen me modelime matematikore të sistemeve në përgjithësi dhe më specifikisht me studimin e stabilitetit të sistemit kardio-respirator.

Vijimi i projektit me Prof. Arban Uka si mbikëqyrës i temës së bashku me Prof. Klaudio dhe Prof. Ervinin më ndihmoi në konkretizimin e hapave të punës dhe nxjerrjen e rezultateve sa më cilësore në aspektin teorik dhe aplikativ,” tha Lumi.

Kontribut në temën e tij të diplomës patën edhe librat dhe leksionet online të Prof. Steven Strogatz, i cili shquhet për mësimdhënien me qasje publike  të temave që përfshijnë punën e Lumit, së bashku me punën e Prof. Flavio Fenton po mbi këtë temë në Universitetin Georgia Tech. Ato shërbyen si bazë e qëndrueshme për mbarëvajtjen e punës për temën së diplomës.

Puna e Lumit shtjellon metodat dhe konceptet matematikore duke dhënë një set udhëzimesh për riprodhimin e një ecurie si ajo në punën e tij, në mënyrë që  kjo qasje të mund të gjejë veten në shumë zbatime të tjera.

Zgjidhjet e propozuara prej punës së tij janë verifikuar me korrespondencë nga profesionistë të mjekësisë klinike duke pasur parasysh se trajtimi i çdo pacienti është i veçantë dhe praktikat që nxirren nga laboratorët dhe plasohen në libra dallojnë, së paku në përmasë së vogël, nga praktikat që duhet ekzekutuar në ambientet spitalore.

Skema përfundimtare e reagimit për trajtimin kardiak të propozuar në temën e tij të diplomës, me hulumtim të mëtejshëm dhe bashkëpunim të ngushtë me profesionistë përkatës, mund të ketë rezultate me impakt dhe rëndësi në këtë fushë të mjekësisë.

/PCWorld Albanian

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter