Nga të dhënat e regjistrimit të popullsisë në vitin 2021, i cili rezultoi në gjithsej 1,836,713 banorë, gjinia femër përfaqëson 50,4% të popullsisë në shtet, dhe gjinia mashkullore 49,6%. Barazia numerike nuk pasqyron barazinë në përfaqësimin politik dhe në periudha të ndryshme janë marrë masa të ndryshme për të reduktuar këtë pabarazi të theksuara, shkruan PRESSonline.al
Në rrugëtimin tonë demokratik si vend, përfaqësimi i gruas në kuptimin e plotë të fjalës filloi të realizohet që në vitin 2002 (kur u caktua kuota e nevojshme prej 30% për gjininë femërore) dhe pas abuzimit me të njëjtën, respektivisht renditjen e grave në pjesën e poshtme të listave për deputetë në vitin 2006, vendoset një rregull i ri dhe si kusht për pranimin e listës kërkohet renditja e grave për çdo pozitë të tretë dhe së fundi, me ndryshimet e vitit 2015, është vendosur kuota prej 40%, si dhe në dhjetë kandidatët e parë duhet të ketë 4 kandidate.
Si fakt, ju sjellim një grafik që tregon se sa gra janë nominuar dhe sa janë zgjedhur deputete nga zgjedhjet e viteve 1990-2020, ku vërehet një përfaqësim shumë i ulët në vitet 1990-1998.
Ish-anëtari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Pulsi i Demokracisë”, Enver Salihi për PRESSonline.al, thotë se sistemi pluralist, përveç progresit të gjithanshëm, imponoi edhe përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri, si antitezë të angazhimit dhe intelektit të tyre në proceset e mbajtjes dhe përparimit të Maqedonisë.
– Promovimi dhe përparimi i rolit të gruas u realizua në disa sfera të jetës shoqërore dhe synimi ishte, sikur në mënyrë deklarative, të praktikohej barazia mes gjinive në realitet. Barazia e vërtetë do të na lejonte të shpëtonim nga inferioriteti si një kompleks i imponuar, analizoi ai.
Ai thotë se përfaqësimi gjinor është një domosdoshmëri dhe nuk duhet t’i lihet vullnetit të lirë.
“Duhet ta lëmë mënjanë stereotipin se politika është arenë burrash”, theksoi Salihu.
Përfaqësimi i grave në postin e kryetares së komunës nga viti 1997 deri në vitin 2021.
Për përfaqësim më të madh të grave në pushtetin lokal, Salihi konsideron se është i nevojshëm të rritet përfaqësimi gjinor dhe se duhet të përdoren kuotat edhe gjatë kandidimit të kryetarëve të komunave.
– Në të kaluarën kemi shembuj nga zgjedhjet lokale ku përfaqësimi gjinor i kryetareve femra është zero (zgjedhjet lokale në 1996 dhe 2009), dhe në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021 kemi vetëm 2 gra të zgjedhura kryetare komunash (nga gjithsej 80 komuna dhe Qyteti i Shkupit). Prandaj lind nevoja për të ndërhyrë me ligj, 40% e kandidatëve për kryetar komunash të jenë femra, si mundësi për të përmirësuar këtë përfaqësim, analizon Salihi.(PRESSonline.al)







