Kërkimet për gjetjen e 13-vjeçares Lisa T., e cila ishte zhdukur mëngjesin e 3 nëntorit teksa po shkonte në shkollë në Berlin, kanë përfunduar në mënyrë tragjike. Pesë ditë më vonë, të dielën, më 8 nëntor, e mitura u gjet e pajetë dhe e lidhur brenda një banese të pabanuar, rreth 50 kilometra larg kryeqytetit gjerman.
Pranë trupit të saj u gjet edhe një 22-vjeçar gjerman, i cili kishte marrë plagë të rënda dhe u konsiderua si i dyshuari kryesor për rrëmbimin dhe vrasjen e vajzës. I riu dyshohet se qëlloi veten në kokë me armë zjarri në momentin kur mbërritën efektivët e policisë. Ai ndërroi jetë mëngjesin e së mërkurës (11 nëntor), pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, raportojnë mediat gjermane, mes tyre “Tagesspiegel”.
Mëngjesin e së martës, më 3 nëntor, Lisa u largua nga apartamenti ku jetonte me familjen e saj në lagjen Marzahn të Berlinit. Si çdo mëngjes, ajo do të merrte autobusin për të shkuar në shkollë, pranë sheshit Barnimplatz.
Teksa po ecte drejt stacionit të autobusit, i cili ndodhej vetëm 400 metra larg banesës së saj, 13-vjeçarja shkëmbente mesazhe me një shoqe. Por, sipas dëshmisë së kësaj të fundit, komunikimi mes tyre u ndërpre papritur. Që nga ai moment, Lisa nuk iu përgjigj më mesazheve.
Më vonë u konstatua se nxënësja nuk ishte ngjitur kurrë në autobus dhe nuk kishte mbërritur në shkollë. Zhdukja e saj vuri menjëherë në lëvizje autoritetet, pasi familjarët këmbëngulnin se vajza nuk ishte nga ata fëmijë që do të largohej vullnetarisht nga shtëpia.
Në kërkimet për gjetjen e saj u angazhuan qindra efektivë policie, me ndihmën e qenve të specializuar, një helikopteri dhe madje edhe të një droni nënujor.
Pavarësisht operacionit të gjerë të kërkimit, për pesë ditë me radhë nuk u arrit të gjendej asnjë gjurmë e 13-vjeçares. Ngjarja mori një kthesë tragjike të dielën (8 nëntor), kur një banor i qytetit Bad Freienwalde, pranë kufirit me Poloninë dhe rreth 50 kilometra larg Berlinit, njoftoi policinë për një vjedhje në një banesë fqinje, e cila kishte qenë e pabanuar prej vitesh.
Dëshmitari raportoi se dikush kishte hyrë pa leje në ndërtesë. Kur efektivët mbërritën në vendngjarje dhe hynë brenda, dëgjuan një të shtënë arme zjarri. Në ambientet e brendshme, policia gjeti trupin e pajetë të një vajze adoleshente dhe një burrë me plagë të rënda.
Brenda pak minutash, autoritetet e lidhën ngjarjen me zhdukjen e 13-vjeçares Lisa. Sipas gazetës gjermane “Die Welt”, vajza u gjet e lidhur. Autopsia e kryer një ditë pas gjetjes së trupit konfirmoi identitetin e 13-vjeçares, por nuk arriti të përcaktonte shkakun e vdekjes së saj. Sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa, ekzaminimet mjeko-ligjore treguan se e mitura kishte ndërruar jetë një kohë të konsiderueshme përpara se të gjendej.
“Asgjë nuk tregonte se ajo ndodhej aty. Në fund, ishte thjesht një rastësi që njoftimi për hyrjen e paligjshme në ndërtesë çoi në zbulimin e saj”, deklaroi Michael Petzold, zëdhënës i Prokurorisë së Berlinit, sipas mediave gjermane.
Burri që u gjet i plagosur pranë trupit të pajetë të Lizës ishte 22 vjeç, me shtetësi gjermane dhe banonte me prindërit e tij në lagjen Marzahn, më pak se 800 metra larg shtëpisë së 13-vjeçares.
Sipas gazetës “Die Welt”, i riu e njihte mirë zonën ku jetonte vajza, ndërsa prindërit e ish-partneres së tij banonin pranë qytetit Bad Freienwalde, ku u gjet trupi i pajetë i të miturës. Hetuesit zbuluan se 22-vjeçari kishte qenë më parë në vëmendjen e autoriteteve ligjzbatuese. Që prej janarit të vitit 2025, ai ishte nën hetim për dyshime mbi sigurimin dhe posedimin e materialeve që përmbanin abuzim seksual ndaj të miturve.
Autoritetet vijojnë të kërkojnë përgjigje për disa nga pyetjet kyçe të kësaj ngjarjeje, si mënyra se si humbi jetën Lisa, nëse ajo e njihte 22-vjeçarin dhe nëse në këtë krim mund të ketë pasur edhe persona të tjerë të përfshirë. Ndërkohë, sipas gazetës “Bild”, disa banorë të zonës kanë deklaruar se gjatë ditëve të mëparshme kishin dëgjuar britma që vinin nga banesa e pabanuar ku u gjet trupi i vajzës.


