Këshilltari i VLEN-it në Komunën e Butelit, Usein Ramadani, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të komunës, Darko Kostovski, pas përplasjes së tyre në seancën e Këshillit Komunal, ku po diskutohej për gjuhën shqipe, përcjell Zyrtare.net
Ramadani, i cili ditëve të fundit bëri bujë me reagimin e tij në mbledhjen e Këshillit, i është përgjigjur akuzave dhe etiketimeve të Kostovskit, duke paralajmëruar edhe padi private.
Ai ka theksuar se nuk ka pasur asnjëherë vepër penale dhe se emrin e tij e ka ndërtuar përmes punës, ndershmërisë dhe integritetit.
“Kur një këshilltar kërkon respektimin e ligjit, kërkon llogaridhënie dhe mbron një të drejtë që i takon ligjërisht, ai nuk është as bandit, as kriminel. Ai po kryen detyrën për të cilën qytetarët e kanë zgjedhur”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka kritikuar gjithashtu, siç shprehet, pretendimin se pushteti komunal mund të trajtohet si pronë private dhe se kryetari i komunës mund të veprojë mbi ligjin dhe institucionet.
Në reagimin e tij, këshilltari i VLEN-it ka paralajmëruar se për etiketimet publike do të ngrejë padi private dhe se për pretendimet e bëra, Kostovski do të duhet të përgjigjet para organeve kompetente.
“Darko, mund të më kundërshtosh politikisht, mund të mos pajtohesh me qëndrimet e mia, por nuk ke të drejtë të më njollosësh si njeri”, ka theksuar Ramadani.
Në fund, ai ka thënë se do të vazhdojë të qëndrojë në anën e qytetarëve, të drejtës dhe ligjit, duke shtuar se mandati dhe pushteti janë të përkohshëm, ndërsa emri dhe dinjiteti i njeriut mbeten.


