Sportdashësit në Tetovë dhe mbarë familja kuqezi janë zgjuar sot me një lajm të rëndë. Agron Memedi, ish-futbollist i njohur dhe ndihmës trajner i KF “Shkëndija”, është ndarë nga jeta në moshën 45-vjeçare.
Memedi, me prejardhje nga fshati Përshevcë i Tetovës, lindi më 5 dhjetor 1980. Në fushë u dallua si mbrojtës i majtë dhe gjithë karrierën e zhvilloi në klube të Maqedonisë së Veriut. Hapat e parë i hodhi te Shkëndija, për të vazhduar më pas te Renova, ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës dhe ku festoi titullin e kampionit në sezonin 2009/10, si dhe Kupën e Maqedonisë një vit më vonë. Ai veshi edhe fanellën e Metalurgut të Shkupit, ndërsa regjistroi edhe një paraqitje me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut në një ndeshje miqësore. Nga futbolli aktiv u tërhoq në janar të vitit 2018.
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, iu përkushtua punës si trajner. Në pranverën e vitit 2018 drejtoi për një periudhë të shkurtër Renovën, e më pas punoi me talentët e rinj në akademinë e Shkëndijës. Në gusht të këtij viti u bë pjesë e stafit të ekipit të parë, si ndihmës i trajnerit Artim Pollozhani, duke u rikthyer kështu në klubin ku kishte nisur rrugëtimin e tij futbollistik.


