Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës nga radhët e VLEN-it, Driton Sulejmani, ka akuzuar BDI-në se gjatë kohës kur ishte pjesë e qeverisjes LSDM-BDI, kishte mbështetur hapa institucionalë që lidhen me hyrjen e kapitalit të Alta Bankës nga Serbia në Maqedoninë e Veriut.
Duke iu referuar dokumenteve të publikuara për rastin e Alta Bankës, Sulejmani ka rikujtuar se më 24 tetor 2023, me propozim të ministrit të atëhershëm të Financave, Fatmir Besimi, Qeveria kishte shqyrtuar dhe miratuar hapa që lidheshin me marrëdhëniet afariste me Alta Bankën dhe procesin e shitjes së aksioneve shtetërore në Stopanska Bankën e Manastirit.
Sipas Sulejmanit, këto zhvillime ngrenë pikëpyetje për rolin e BDI-së në këtë proces, por edhe për raportin mes promovimit të “Ballkanit të Hapur” dhe zgjerimit të ndikimit ekonomik serb në vend.
“BDI ia hapi dyert kapitalit serb në Maqedoni, ndërsa e shiste ‘Ballkanin e Hapur’ si projekt të bashkëpunimit rajonal!”, ka shkruar Sulejmani.
Ai ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për takimet e shumta të diplomatit të atëhershëm të BDI-së, Bujar Osmani, dhe zyrtarëve të tjerë me diplomacinë serbe, duke kërkuar të sqarohet qëllimi i këtyre kontakteve.


