Presidenti amerikan Donald Trump ka nominuar Kristi Mekormick nga Kalifornia për ambasadore të jashtëzakonshme dhe fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Shtëpia e Bardhë më 9 nëntor publikoi nominimin në mesin e propozimeve të dërguara në Senatin amerikan. Bëhet fjalë për kandidaturë për këtë funksion dhe jo për emërim tashmë të përfunduar, transmeton Zyrtare.net
Mekormick është juriste me përvojë shumëvjeçare në administrimin e zgjedhjeve, mbrojtjen e të drejtave të votuesve dhe sundimin e ligjit, raporton 4news.mk.
Ajo ishte anëtare e Komisionit Amerikan për Asistencë Zgjedhore (EAC), nga dhjetori i vitit 2014 deri më 9 korrik 2026, sipas biografisë së saj zyrtare.
Për anëtare të këtij Komisioni ishte nominuar nga presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama, ndërsa Senati e kishte konfirmuar me pëlqim unanim më 16 dhjetor 2014.
Gjatë angazhimit të saj në këtë institucion, tri herë ka ushtruar detyrën e kryetares, ndërsa mandatin e tretë njëvjeçar e kishte filluar në shkurt të vitit 2023. Ajo kishte marrë pjesë në riorganizimin e Komisionit dhe në iniciativa për përmirësimin e administrimit të zgjedhjeve dhe qasjes në procesin e votimit.
Para angazhimit në EAC, që nga viti 2006, ajo kishte punuar si avokate e lartë për çështje gjyqësore në Departamentin për të Drejtat e Votuesve, në kuadër të Sektorit për të Drejtat Civile të Ministrisë amerikane të Drejtësisë.
Puna e saj përfshinte trajtimin e shkeljeve të ligjeve federale zgjedhore dhe rasteve të diskriminimit në ushtrimin e së drejtës së votës.

