Qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës votojnë sot për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar Shqiptar, institucionit që përfaqëson komunitetin shqiptar në Serbi dhe mbron të drejtat e tij që i garantohen me Kushtetutën dhe ligjet e Serbisë.
Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 37.759 shqiptarë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore, të cilët do të kenë mundësinë të votojnë për kandidatët që do t’i përfaqësojnë në Këshillin Kombëtar Shqiptar gjatë mandatit të ardhshëm 4-vjecar.
Për 29 vendet në këtë organ garojnë katër lista zgjedhore me gjithsej 107 kandidatë, të cilët synojnë të marrin besimin e votuesve dhe të sigurojnë përfaqësimin në këtë organ për çështjet që lidhen me të drejtat kolektive të shqiptarëve në Serbi.
Këto zgjedhje vijnë pas rikthimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në përbërjen prej 29 anëtarësh, nga 15 sa kishte për më shumë se një dekadë, ndryshim që lidhet me të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2022 në Serbi.
Këshillit Kombëtar Shqiptar është si një lloj ure mes shqiptarëve të Luginës, institucioneve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, por edhe si një organ përmes të cilit komuniteti shqiptar i ushtron disa nga të drejtat e veta kolektive dhe përfaqëson interesat e tij.
Një ditë para votimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të këtyre tri komunave që të marrin pjesë në zgjedhje dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike të votës, lirshëm dhe sipas bindjeve të tyre.
Kurti ka përmendur edhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, përfshirë pasivizimin e adresave, diskriminimin dhe nënpërfaqësimin institucional.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë t’i mbështesë shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë përmes teksteve mësimore, bursave për nxënës e studentë, si dhe përkrahjes për kulturën dhe institucionet përfaqësuese.


