Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka bërë të ditur se Gjermania nuk mund t’i ofrojë për momentin Ukrainës sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore Patriot, pasi një veprim i tillë do të krijonte boshllëqe në mbrojtjen e vetë vendit.
Deklaratën, Pistorius e dha në një intervistë për gazetën gjermane Berliner Morgenpost, pjesë e grupit mediatik Funke, të publikuar më 7 nëntor 2026. Ai theksoi se Berlini tashmë ka dorëzuar disa sisteme Patriot dhe një numër të madh raketash, ndërsa rezervat e mbetura nuk mund të reduktohen më tej pa rrezikuar sigurinë kombëtare.
Pistorius u bëri thirrje vendeve të tjera anëtare të NATO-s që të shtojnë kontributin e tyre, duke theksuar se disa prej tyre kanë ofruar dukshëm më pak ndihmë se Gjermania. Sipas tij, kjo çështje duhet të diskutohet në takimin e ardhshëm të Grupit të Kontaktit për Ukrainën, që pritet të mbahet në mesin e nëntorit.
Ai shprehu gjithashtu pesimizëm për mundësinë e arritjes së një armëpushimi në të ardhmen e afërt.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar për pasojat e mungesës së raketave Patriot, në një kohë kur Rusia po intensifikon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe asaj të transportit në Ukrainë.
Zelensky deklaroi se mungesa e raketave të mbrojtjes ajrore ka bërë që disa prej sulmeve ruse të shkaktojnë dëme të konsiderueshme. Ai tha se gjatë natës janë goditur edhe ura mbi lumin Dnipro, përfshirë Urën Veriore në Kiev, ndaj së cilës, sipas tij, u lëshuan gjashtë raketa balistike, katër prej të cilave e goditën objektivin.
Presidenti ukrainas theksoi se prioritet i Kievit në takimet e ardhshme ndërkombëtare do të jetë sigurimi i më shumë sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe mbështetjes për sektorin energjetik.


