Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat mbahen nesër, më 8 nëntor.
Përmes një mesazhi publik, Ahmeti ka theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për përfaqësimin politik dhe institucional të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Ai ka vlerësuar se pjesëmarrja në votime nuk përbën vetëm ushtrim të së drejtës demokratike, por edhe përgjegjësi për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar.
Ahmeti ka nënvizuar se çdo votë është një zë për dinjitetin, barazinë dhe të ardhmen e shqiptarëve në Luginë, duke bërë thirrje që qytetarët të mos e humbin mundësinë për të kontribuar në përfaqësimin e tyre institucional.


