Ministria e Ekonomisë ka themeluar një task-forcë ndërinstitucionale për sezonin dimëror 2026-2027, me mandat për të monitoruar furnizimin me energji elektrike, për të koordinuar përditësimin e bilancit dimëror dhe për të përgatitur planin e veprimit me masa konkrete, përgjegjësi dhe afate, raporton Ekonomia Online.
Kështu ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së Aleancës, Albana Bytyqi, lidhur me përgatitjet dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike në Kosovë gjatë sezonit të dimrit.
Rizvanolli tha se task-forca udhëhiqet nga Ministria e Ekonomisë dhe përbëhet nga përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), KEK-ut, KOSTT-it, KEDS-it, KESCO-s, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
“Duke marrë parasysh këto rrethana, dhe kufizimet e prodhimit vendor, unë kam themeluar task forcën ndërinstitucionale për sezonin dimëror 2026-2027, e cila udhëhiqet nga Ministria e Ekonomisë, me pjesëmarrje gjithashtu të ZRRE-së, KEK-ut, KOSTT-it, KEDS-it, KESCO-s, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Task forca ka mandat të monitorojë furnizimin, të koordinojë përditësimin e bilancit dimëror dhe të përgatisë planin e veprimit me masa, përgjegjësi dhe afate konkrete. Raportimi në ministri është javor dhe, ose i menjëhershëm kur identifikohet rrezik për furnizim”, tha ajo.
Ministrja ka paralajmëruar se përgatitjet për dimër po bëhen duke marrë parasysh zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, ku, sipas saj, janë rritur çmimet e energjisë elektrike.
“Në nivel botëror, rritja e kërkesës për energji elektrike dhe pasojat e luftës në Iran kanë shtuar presionin mbi sistemet energjetike dhe kostot e furnizimit. Në tregjet relevante për rajonin tonë, rritjet janë edhe më të theksuara. Në shtator 2026, krahasuar me shtatorin e vitit 2025, çmimi mesatar në tregun e ditës përpara ishte rreth 75 për qind më i lartë në bursën hungareze HUPEX, ndërsa rreth 50 për qind më i lartë në ALPEX për zonën e Kosovës”, tha Rizvanolli.
Ajo ka sqaruar edhe përgjegjësitë e institucioneve dhe ndërmarrjeve në sektorin e energjisë, duke theksuar se sigurimi dhe kontraktimi i energjisë për furnizimin e konsumatorëve është detyrim i furnizuesve të licencuar.
“Ministria e Ekonomisë harton politikat energjetike dhe udhëheq zbatimin e strategjisë së energjisë. ZRRE-ja është autoriteti i pavarur, përgjegjës për rregullimin e sektorit, mbikëqyrjen e përmbushjes së detyrimeve ligjore dhe rregullatore nga ana e ndërmarrjeve të licencuara, si dhe monitorimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike. KOSTT-i është përgjegjës për operimin e sigurt të sistemit, transmetimin dhe balancimin. KEK-u, për operimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve të vetëprodhimit, ndërsa operatori i sistemit të distribucionit, KEDS-i, për operimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes. Sigurimi dhe kontraktimi i energjisë për furnizimin e konsumatorëve është detyrim i furnizuesve të licencuar”, tha ajo.


