Reperi i njohur shqiptar, Cllevio, ka bërë një paraqitje të papritur mbrëmjen e së enjtes në selinë e Partisë Socialiste në Tiranë, ku ka ndarë mendimet e tij mbi situatën aktuale në vend, përfshirë protestat e fundit dhe rolin e Policisë së Shtetit.
Në një video të postuar në Instagram, ai ka shprehur mbështetje të qartë për policinë, duke ndarë edhe përvojat e tij personale me ata që mbajnë uniformat blu. Cllevio theksoi se ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të veçantë me ta.
“Jam krah Policisë së Shtetit. Më kanë mbrojtur pa e ditur se po më ruajnë. Më kanë toleruar kur ka qenë e nevojshme dhe më kanë dërguar në burg kur kam pasur nevojë,” shprehet ai, duke treguar se ndjen një respekt të veçantë për ta.
Reperi gjithashtu ka bërë të qartë se mbështet kryeministrin Edi Rama, pavarësisht kritikave që mund të marrë për këtë qëndrim. Ai e pranon se është i hapur për mendimet e tij dhe nuk ka frikë t’i shprehë ato.
“Më quani si të doni, servil apo mercenar. Unë do të vazhdoj të kem mendimet e mia dhe nuk do të fshihem,” ka thënë Cllevio, duke theksuar se është i sinqertë në qëndrimet e tij.
Megjithatë, ai ka bërë një dallim të qartë mes protestuesve paqësorë dhe atyre që përdorin dhunë. Ai shprehu qartë se nuk mbështet veprime të tilla si hedhja e molotovëve dhe dhunës në protesta.
“Nuk jam kundër popullit, por më shumë dua bossin. Unë prapë bossin do ta votoj,” ka theksuar ai, duke iu referuar Edi Ramës dhe duke shprehur besimin e tij në liderin e qeverisë.
Në përfundim, Cllevio u bëri thirrje protestuesve për të reflektuar mbi pasojat ekonomike që situata aktuale po sjell në vend. Ai paralajmëroi se situata e krijuar po dëmton turizmin dhe ekonominë në përgjithësi.
“Thërrisni mendjen e kokës se e keni çuar ekonominë në zero. Asnjë turist. Unë iki prapë, ju që jeni këtu do ta vuani,” përfundoi ai, duke lënë një mesazh të fortë për të gjithë protestuesit. Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur Shqipëria po përballet me tensione të shumta dhe protesta kundër qeverisë.


