Një zjarr i fuqishëm në një ndërtesë banimi në Brooklyn, New York, u ka marrë jetën gjashtë personave, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në zonën e Sunset Park.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të New Yorkut (FDNY), flakët u raportuan rreth orës 01:40 me kohën lokale. Në vendngjarje u angazhuan më shumë se 230 zjarrfikës dhe punonjës të shërbimeve mjekësore të urgjencës.
BBC raporton se katër persona u shpallën të vdekur në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë, një burrë dhe një grua, ndërruan jetë në spital, pasi nuk arritën t’u mbijetonin plagëve.
LEXO EDHE: Katër shqiptarë në zgjedhjet amerikane, vetëm njëri është në avantazh, kush janë ata
Nga zjarri mbetën të plagosur edhe gjashtë civilë, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike, si dhe tre zjarrfikës.
Sipas raportimeve, kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, kati i parë dhe i dytë i ndërtesës ishin përfshirë nga flakët.
Në operacionin e ndërhyrjes u përfshi edhe një ekip i specializuar për materialet e rrezikshme, për shkak të pranisë së një baterie në ndërtesë. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse bateria ka pasur lidhje me shpërthimin e zjarrit.
Kryebashkiaku i New Yorkut, Zohran Mamdani, reagoi për ngjarjen tragjike, duke shprehur dhimbjen për humbjen e personave dhe duke shprehur lutje për shërimin e të plagosurve.
LEXO EDHE: Alarm për bombë në fluturimin Dublin-Romë, avioni bën ulje emergjente në një bazë ushtarake në Francë


