Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Makina që fluturon doli para GTA 6! Tesla po çon teknologjinë në një tjetër nivel…
Makina që fluturojnë… përpara se të dalë GTA 6?
Po, e dëgjuat mirë. Dhe të sqarohemi: nuk po flas për atë tipin që merr kthesën me 140 dhe përfundon në oborrin e komshiut. Më 15 tetor, Tesla tregoi Roadster-in e ri. Dhe versioni me teknologji të zhvilluar bashkë me SpaceX… u ngrit nga toka, kapërceu automjete dhe u rrotullua në ajër. Fluturime të shkurtra, kuptohet. Sa për të kaluar makinën që ke përpara, jo për të ikur me pushime. Por imagjinoni çfarë problemi hap kjo te parkimi i lagjes. Del nga kafeneja. Ta kanë bllokuar makinën. Merr në telefon numrin që ka lënë te xhami:
— Alo, hajde pak se më ke bllokuar.
— Ate Teslën që fluturon ke?
— Po.
— Po kalo sipër, o vlla! Ca na lodh kot!
Teknologjia ecën përpara. Dhe nuk mbaron këtu. Roadster-i eci edhe përmbys në një rampë, falë një sistemi thithjeje që e mban makinën të ngjitur në sipërfaqe me nje forcë mbajtëse rreth 4.7 ton. Këtu edhe mekaniku i lagjes do të ndalonte një çast përpara se të thoshte: “E kemi pasur një të tillë.”
Sipas Tesla-s, makina shkon nga zero në rreth 97 kilometra në orë në më pak se një sekondë. Rreth 0.8 sekonda. Më në fund, personi që të thotë gjithmonë:“Jepi pak…”…do ta kuptojë sa e rëndësishme është fjala PAK. Nëse makina finale i realizon vërtet këto, kjo është çmenduri.
Jo “i vumë ekranin pak më të madh”.
Jo “tani dritat brenda bëhen edhe lejla”.
Po flasim për një makinë që ngrihet nga toka dhe ecën përmbys. Vetëm se ka një detaj të vogël: Prodhimi premtohet për 2028. Dhe pas gjithë shtyrjeve të Roadster-it… rezervën duhet ta mbajmë. Pra, makina fluturoi.Klienti vazhdon të presë në tokë.
Mjaft me reklamat! Inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën si përdorim televizorin…
Kemi arritur në pikën që përdorim inteligjencën artificiale për ta bërë televizorin më pak inteligjent. Dhe mirë bëjmë! Sepse ti do të shohësh ndeshjen. Ai të ofron një reklamë, një serial që s’të intereson dhe një abonim tjetër. Ndërkohë, babi rri me telekomandë në dorë:
— Ma gjej pak kanalin qe dua.
Tani njerëzit po i bëjnë vetë këto “përmirësime”. Me mjete si Claude Code dhe projekte si CleanYourTV, po çaktivizojnë aplikacionet e panevojshme dhe po zëvendësojnë menutë me reklama me një ekran të thjeshtë, ku gjen lehtesisht ato që përdor. Kjo është e mundur në televizorë të përshtatshëm me Android TV ose Google TV.
U bera kurioz ndaj e provova dhe vete. Ishte shumë e thjeshtë dhe, realisht, ia vlen.
Dhe nuk është ideja ta kthesh televizorin në atë të gjyshes, që donte një goditje anash për të nxjerrë figura. Mund ta bësh më të këndshëm: aplikacionet e preferuara te rradhitura ne fillim, sfonde sipas dëshirës, ngjyra të tjera, një orë të madhe në ekran, motin etj.
Pra, heq çfarë s’të duhet dhe shton çfarë të pëlqen. Se televizorin e pagove ti. Nuk ta sollën falas që të mbajnë tabelë reklamash në mes të ekranit! Se edhe kur vjen miku, akoma pa i thene “mirë se erdhe”, televizori i ka ofruar një abonim.
Vetëm kujdes: mundësitë ndryshojnë sipas modelit dhe duhen ruajtur cilësimet për reset. Jo çdo televizor lejon të njëjtat ndërhyrje.
Mos i thoni inteligjencës artificiale “hiqi te gjitha”, se pastaj babi do ta fitojë përfundimisht debatin:
“Të thashë unë, ai i vjetri ishte më i mirë!”
Fëmijë sot, aksionerë të SpaceX nesër? Premtimi i bujshëm i Elon Musk…
Mbani mend paratë që na jepnin të afërmit kur ishim të vegjël? “M’i jep mua t’i ruaj”, thoshte mami. Ende po i presim t’i marrim.
Tani Elon Musk premton se në vitin 2027 do t’i japë çdo fëmije në Amerikë nga një aksion të tijin të SpaceX. Pra, një pjesëz pronësie në kompani, jo para në dorë. Imagjinoni një familje shqiptare atje. Fëmija merr aksionin. Nëna telefonon menjëherë gjithë fisin:
— Djali është bërë ortak me Elon Musk-un!
— Po a nuk ishte në klasë të dytë?
— Është, por ky i bën të dyja.
Deri në darkë, lajmi ka mbërritur në Shqipëri dhe djali nuk ka më thjesht një aksion: “Ka hapur një kompani raketash me një amerikan.”
Sa vlen realisht dhurata? Me çmimin e mbylljes së bursës më 16 tetor, rreth 146 dollarë për fëmijë. Në total, mbi 10 miliardë dollarë. Nuk të zgjidh jetën një aksion, por nuk është as stilolaps me logon e kompanisë.
Sipas njoftimit të Trump-it, shpërndarja do të bëhet përmes llogarive të investimit për fëmijë, të quajtura “Trump Accounts”. Për momentin, është premtim për vitin e ardhshëm, jo dhuratë e shpërndarë.
Por skena më e bukur do të ishte mbledhja me prindër:
— Djali juaj nuk e ka mendjen në mësim.
— E di, mësuese. Ka shumë përgjegjësi tani.
— Nuk ka bërë detyrat!
— Kanë lëshim rakete këtë javë, ku ta gjejë kohën?!
Vetëm një pengesë ka ky plani për t’i bërë fëmijët pronarë që të vegjël. Sapo të mbërrijë aksioni, dëgjohet zëri i mamit:
“Ma jep mua passwordin. Kur të rritesh, ta jap prapë.”
Jo vetëm muskuj! Palestra e re e Mark Wahlberg premton një qasje tjetër ndaj jetëgjatësisë…
Doni të jetoni 120 vjet? Shumë mirë. Po mendoni edhe çfarë do të bëni me gjithë ato vite, se disa mërziten me veten deri te dielën pasdite!
Kjo është për adhuruesit e jetesës së shëndetshme: Mark Wahlberg po përgatit një palestër në Las Vegas, ku bashkon stërvitjen, ushqyerjen dhe rikuperimin. Jo thjesht muskuj për plazh, por kujdes për trupin në afat të gjatë.
Wahlberg përmend 99 dollarë për tri seri analizash gjaku dhe një orë me mjekun.
Pra, shkon të ngresh pesha dhe ke mundësi të kontrollosh edhe çfarë po ndodh brenda. Se pasqyra të tregon barkun, por nuk të jep ndonjë shpjegim tjetër.
Po çmimi i palestrës? Faqja reklamon abonime paraprake nga 99 dollarë në muaj, me përfitime që ndryshojnë sipas paketës. Pra, mos mendoni se çdo shërbim përfshihet automatikisht.
Ideja për të pasur stërvitjen dhe kujdesin shëndetësor afër njëri-tjetrit është interesante. Vetëm mos e ngatërroni abonimin me garanci për ditëlindjen e 120-të.
Dhe mbetet një hollësi e vogël: duhet të shkosh.
Se e imagjinoj telefonatën pas tre muajsh:
— Përshëndetje, u regjistruat te programi për jetëgjatësi, por nuk ju kemi parë asnjëherë.
— Do të vij të Hënën.
— Ne cilën të Hënë?
Kafshët e zhdukura mund të rikthehen! AI identifikon 2.300 pika ndërhyrjeje në ADN
Ditën që shkenca të rikthejë kafshët e zhdukura, ju lutem, të merret edhe me shokun qe merr 300 euro borxh dhe zhduket. Nga ai ka mbetur vetëm një provë që ka ekzistuar: mesazhi “T’i sjell të Hënën”.
Colossal Biosciences ka prezantuar GenoMorph, një platformë me inteligjencë artificiale që synon të përshpejtojë përpjekjet për rikthimin e specieve të zhdukura.
Në qendër është dodo, shpendi që u zhduk në shekullin e XVII (17). Plani është të krijohen shpendë me tipare të tij, duke ndërhyrë gjenetikisht tek i afërmi i tij, pëllumbi i Nikobarit.
Pra, pëllumbi që hyri në këtë projekt kishte një jetë të qetë. Tani imagjinojeni mbledhjen:
— Kemi disa ndryshime të vogla për ty.
— Sa të vogla?
— Do të bashkohesh me një variacion tjetër shpendi
Si funksionon? Platforma analizon të dhëna nga shpendë të gjallë për të parashikuar cilat pjesë të ADN-së lidhen me pamjen e dodos. Sipas kompanisë, ka identifikuar rreth 2.300 pika të mundshme ndërhyrjeje, të lidhura me sqepin dhe formën e fytyrës.
Dy mijë e treqind! Dhe mendoni që ne shkojmë te berberi, i kërkojmë vetëm, “pak anash”, dhe dalim duke kërkuar kapelen.
Por kujdes: dodo nuk është rikthyer. Kandidatët duhen verifikuar në laborator dhe nuk është shpallur një datë për lindjen e tij. Ky është një mjet kërkimor, jo një kafshë e përfunduar.
Megjithatë, është mbresëlënëse që po kërkojnë gjurmët e një shpendi të humbur prej shekujsh.
Ndërsa shokut qe na ka para borxh ia dimë emrin, adresën, numrin, lokalin ku pi kafen… dhe prapë nuk e kapim dot.
Dodoja, të paktën, nuk hedh fotografi nga pushimet ndërkohë që thotë “jam pak ngushtë”.


