Shqiptari Kolian Ilia është njëri prej tre personave të arrestuar në Greqi, të dyshuar për përfshirjen në shpërthimin e fuqishëm në lagjen Plaka të Athinës, më 25 shtator, ku humbën jetën gjashtë persona, mes tyre edhe tre me origjinë shqiptare.
Ilia është arrestuar së bashku me dy shtetas grekë, të moshës 37 dhe 55 vjeç. Sipas hetimeve të autoriteteve greke, tre të dyshuarit dyshohet se kanë ndërhyrë në sistemin e furnizimit me gaz të një ndërtese, me qëllim vjedhjen e tubave të bakrit.
Kjo ndërhyrje dyshohet se shkaktoi dëmtimin e tubacionit dhe rrjedhjen e gazit natyror, i cili u grumbullua në ndërtesë dhe shpërtheu disa orë më vonë. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 25 shtatorit, në rrugën Lysikratous, duke shkaktuar shembjen e godinës dhe gjashtë viktima.
Gjatë ditës së sotme, tre të arrestuarit pritet të dalin përpara gjykatës, ku do të shqyrtohet masa e sigurisë ndaj tyre. Ata përballen me akuza të rënda, përfshirë zjarrvënie dhe shkaktim shpërthimi me pasoja fatale, si dhe vrasje me dashje eventuale.
Mes gjashtë viktimave ishin edhe tre shtetas shqiptarë.


