Aktorja e njohur Jennifer Lawrence ka folur hapur për një ndërhyrje estetike që vendosi të kryente pas lindjes së fëmijës së saj të dytë, duke treguar se si shtatzënia dhe mëmësia ndikuan në mënyrën se si ndihej me trupin e saj.

Fituesja e çmimit Oscar konfirmoi në një intervistë për revistën The Cut se kishte kryer një ngritje të gjoksit, pas ndryshimeve fizike që vuri re pas dy shtatzënive. Rrëfimi i saj ka tërhequr vëmendjen, pasi Lawrence është shprehur gjithmonë e drejtpërdrejtë për pamjen e saj dhe presionin që shoqëron jetën në Hollywood.

Në intervistë, aktorja shpjegoi se trupi i saj reagoi ndryshe pas dy shtatzënive. Pas lindjes së fëmijës së parë, ajo kishte vënë re se trupi i ishte rikthyer pothuajse plotësisht formës së mëparshme. Pas shtatzënisë së dytë, megjithatë, ndryshimet ishin më të dukshme.
Lawrence tregoi se vendosi të mos e shtynte ndërhyrjen, edhe për shkak të angazhimeve profesionale. Ajo pritet të shfaqet e zhveshur në një film të ardhshëm dhe dëshironte të ndihej më e sigurt me trupin e saj përpara xhirimeve.

E pyetur nëse do ta kishte kryer ndërhyrjen edhe nëse nuk do të ishte një aktore e famshme, ajo u përgjigj se ndoshta nuk do të ishte nxituar për të rezervuar takimin me mjekun, por besonte se përsëri do ta kishte marrë këtë vendim.
Dua të jem një mama seksi
-u shpreh Lawrence, duke shpjeguar se dëshiron të ndihet e kuruar dhe femërore edhe gjatë rutinës së përditshme, kur shoqëron fëmijët në shkollë.

Lawrence, e cila ka dy djem me bashkëshortin e saj, Cooke Maroney, ka folur edhe më parë për mënyrën se si mëmësia ka ndryshuar jetën dhe perspektivën e saj.
Aktorja nuk e paraqiti ndërhyrjen si një domosdoshmëri për gratë pas lindjes, por si një zgjedhje personale që lidhet me mënyrën se si dëshiron të ndihet me trupin e saj.
Rrëfimi i saj vjen në një kohë kur diskutimet për ndryshimet fizike pas shtatzënisë, imazhin e trupit dhe ndërhyrjet estetike janë gjithnjë e më të pranishme në industrinë e argëtimit.
Çfarë duhet ditur për ngritjen e gjoksit?
Ngritja e gjoksit, e njohur si mastopeksi, është një procedurë kirurgjikale që synon të ngrejë dhe të riformojë gjoksin duke hequr lëkurën e tepërt. Ajo nuk është e njëjtë me vendosjen e implanteve, megjithëse të dyja procedurat mund të kombinohen në disa raste.
Shtatzënia, ushqyerja me gji, ndryshimet në peshë dhe procesi natyror i plakjes mund të ndikojnë në formën dhe elasticitetin e gjoksit. Vendimi për ndërhyrje duhet të merret pas konsultimit me një kirurg plastik të kualifikuar, duke vlerësuar përfitimet, rreziqet dhe pritshmëritë individuale.

Duke folur pa komplekse për zgjedhjen e saj, Jennifer Lawrence ka rikthyer në vëmendje një temë që shpesh shoqërohet me kritika dhe paragjykime: të qenit nënë nuk do të thotë të heqësh dorë nga dëshira për t’u ndier mirë me veten.


