Barcelona ka nisur të shqyrtojë mundësinë e afrimit të një qendërmbrojtësi gjatë merkatos së janarit.
Lajmin e ka konfirmuar trajneri Hansi Flick, i cili në konferencën për shtyp para ndeshjes me Alavés bëri të ditur se çështja është diskutuar me drejtuesit e klubit.
Tekniku gjerman theksoi se përforcimet e mundshme varen nga nevojat e skuadrës dhe mundësitë ekonomike të Barcelonës, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret në javët në vijim.
“E thashë edhe gjatë merkatos së kaluar, ne gjithmonë diskutojmë për atë që është më e mira për ekipin dhe mënyrën se si mund ta përmirësojmë. Është diçka për të cilën po punojmë. Do ta shohim. Na kanë mbetur edhe disa javë deri në hapjen e merkatos. E kemi diskutuar me Decon, Bojanin dhe stafin tim. Kështu i bëjmë gjërat. Nëse është e mundur, do ta bëjmë”, deklaroi Flick.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Barcelona po shqyrton tregun për të gjetur profilin e duhur në repartin defensiv. Mundësia e një afrimi do të varet edhe nga situata financiare e klubit, si dhe nga largimet e mundshme të lojtarëve, të cilat mund të krijojnë hapësirë në buxhet.
Në konferencën për shtyp, Flick foli edhe për dy humbjet e fundit ndaj PSG-së dhe Real Madridit, duke u përpjekur të largojë presionin nga skuadra. Ai pranoi se disfata në El Clasico ishte e vështirë për t’u përjetuar, por theksoi se Barcelona duhet të mësojë nga gabimet dhe të vijojë punën.
“Është një rrugë e gjatë deri në fund të sezonit, kur mund të fitosh tituj. Nuk ka ndodhur asgjë e pariparueshme. Humbëm ndaj Madridit dhe askush nuk ishte i kënaqur. Por duhet ta pranojmë humbjen dhe të mësojmë prej saj. Kishim mundësi të mira për ta fituar ndeshjen”, u shpreh trajneri.
Flick nënvizoi se mungesat në mbrojtje kanë ndikuar në situatën e skuadrës, duke përmendur disa lojtarë të dëmtuar, mes tyre Jules Koundé, Xavi Espart, Dani Olmo, Eric Garcia dhe Andreas Christensen.
Për sfidën e radhës ndaj Alavés, trajneri nuk përjashtoi as mundësinë që Frenkie de Jong të aktivizohet në rolin e qendërmbrojtësit. Aktualisht, Barcelona ka në dispozicion vetëm dy lojtarë natyralë për këtë pozicion, Pau Cubarsín dhe Gerard Martínin.
“Duhet të gjejmë zgjidhje. Jemi përpjekur të japim më të mirën tonë. Për ndeshjen e nesërme, gjëja më e rëndësishme është të marrim tri pikët”, përfundoi Flick.


