Takoi Erion Veliajn pas transferimit nga burgu i Durrësit në të Fierit, avokati i tij, Plarent Ndreca e cilësoi “të paligjshëm” transferimin.
Në mbrëmje, për Top Channel, Ndreca u shpreh se deri në momentin e deklarimit, nuk u vu në dispozicion asnjë akt i shkruar, që të argumentonte arsyet e vendimit.
Sipas avokatit, ambienti ku mbahet Veliaj është i papërshtatshëm, ndërsa pretendon se klientit të tij nuk i është mundësuar kontrolli mjekësor, pavarësisht problemeve me këmbën, prej më shumë se tre javësh.
Ndreca shtoi se Veliaj nuk ka konsumuar ushqim dhe se nuk ka komunikim telefonik me familjen dhe avokatin.
Ndërkaq, ngriti shqetësimin se kryebashkiaku i Tiranës është vendosur në një ambient izolimi me dy të dënuar me burgim të përjetshëm, në burgun e sigurisë së lartë Fier.
Mbrëmë, aty ishte edhe Avokati i Popullit, Endri Shabani, të cilin Ndreca e falënderoi për vizitën dhe verifikimin e situatës teksa kërkoi reagimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe të tjera institucioneve përgjegjëse.
Pretendimet për kushtet e izolimit dhe ligjshmërinë e transferimit pritet të marrin përgjigje nga autoritetet e burgjeve.


