Në emisionin “Debat në Shenja”, deputeti i zgjedhur në Kuvendin e Serbisë, Visar Memeti, i cili u lidh online, foli për prioritetet e koalicionit shqiptar gjatë mandatit të ardhshëm, mundësinë e bashkëpunimit me Listën studentore dhe kushtet që do t’i vendosin për të gjetur gjuhë të përbashkët me qeverinë e re.
Memeti theksoi se koalicioni shqiptar ka hartuar një platformë të përbashkët, e cila përmban disa çështje që do të adresohen në Kuvendin e Serbisë.
“Pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave, mosinkuadrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore, çështja e simboleve kombëtare dhe shumë çështje të tjera janë prioritete, të cilave duhet t’u qasemi në Kuvend”, deklaroi Memeti.
Sa i përket mundësisë së bashkëpunimit me Listën studentore, deputeti i zgjedhur ka thënë se deri më tani nuk kanë pasur kontakte, pasi zgjedhjet sapo kanë përfunduar. Megjithatë, ai ka lënë të hapur mundësinë e takimeve në ditët ose javët në vijim, për të shqyrtuar nëse ekziston hapësirë për bashkëpunim.
Duke folur për kushtëzimet ndaj qeverisë së re, Memeti ka bërë të ditur se platforma e koalicionit shqiptar përmban pika që do të shërbejnë si bazë për negociata.
“E kemi një platformë që i ka disa pika që do të jenë kushte, në bazë të të cilave ne do të ulemi dhe do të gjejmë gjuhë të përbashkët me qeverinë”, është shprehur ai.
Memeti theksoi se pjesëmarrja në qeveri nuk është kusht i domosdoshëm për koalicionin shqiptar, por as nuk e përjashtoi këtë mundësi.
“Nuk është kusht të jemi pjesë e qeverisë, por pse të mos jemi, pasi thirren në ndryshim të madh. Unë jam optimist që do të ketë ndryshime”, deklaroi deputeti i zgjedhur.
Ai foli edhe për vazhdimësinë e unifikimit politik të shqiptarëve, duke theksuar se çështjet që përfaqëson koalicioni i përkasin të gjithë komunitetit shqiptar. Megjithatë, në nivel lokal, sipas tij, përplasjet politike janë pjesë normale e demokracisë.
Në fund, Memeti ka vlerësuar mobilizimin e shqiptarëve në mbështetje të listës së tyre gjatë zgjedhjeve, duke theksuar se përkrahja ka ardhur edhe nga politikanë dhe personalitete shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Ai përmendi në këtë kontekst Ali Ahmetin dhe përfaqësues të koalicionit VLEN, duke e cilësuar mobilizimin si të jashtëzakonshëm.


