Shqipëria do të shpenzojë mbi 10 miliardë euro gjatë vitit 2027, në buxhetin më të madh të parashikuar deri më tani i cili tashmë ka kaluar në Kuvend.
Projektbuxheti i prezantuar nga ministri i Financave, Petrit Malaj në konferencën e kryetarëve parashikon rritje të të ardhurave më shumë investime publike dhe financim shtesë për pensionet, arsimin, shëndetësinë dhe sigurinë.
Projektbuxheti parashikon arritjen e të ardhurave buxhetore në 907.9 miliardë lekë, ose rreth 9.4 miliardë euro ndërsa shpenzimet e përgjithshme do të kalojnë 976 miliardë lekë ose mbi 10 miliardë euro. Diferenca mes tyre do të mbulohet përmes financimit të deficitit buxhetor, i cili parashikohet në 2.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Qeveria parashikon që borxhi publik të zbresë në 52.4% të PBB nga 52.9% që ishte në vitin 2025 ndërsa ekonomia pritet të rritet me 4% në vitin 2026.
Nga shpërndarja e të ardhurave projektbuxheti 2027 konsiderohet si më sociali teksa pjesën më të madhe të shpenzimeve do ta zërë mbrojtja sociale, me 279.7 miliardë lekë ose rreth 30% të buxhetit të përgjithshëm.
Brenda këtij zëri qeveria parashikon dyfishimin e bonusit mujor për pensionistët me një kosto prej 20 miliardë lekësh gjatë vitit si dhe indeksimin e pensioneve në prill për të cilin janë planifikuar 1.35 miliardë lekë.
Arsimi do të financohet me 93.6 miliardë lekë, ndërsa për shëndetësinë janë parashikuar 87.2 miliardë lekë. Në të dy sektorët, qeveria planifikon rritje të financimit me fonde shtesë për bursat e studentëve, barnat, pajisjet mjekësore dhe infrastrukturën spitalore.
Për bujqësinë janë parashikuar 17.9 miliardë lekë ndërsa për mbrojtjen 76.7 miliardë lekë. Një tjetër zë i rëndësishëm është siguria ku parashikohet financim shtesë për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Në total investimet publike për vitin e ardhshëm parashikohen në 201.5 miliardë lekë ose 6.9% të PBB. Fondet do të orientohen drejt infrastrukturës rrugore, porteve, hekurudhave dhe shërbimeve publike, ndërsa në periudhën 2027-2029 investimet kapitale synojnë të mbeten mesatarisht në 6.6% të PBB-së.
Paralelisht me buxhetin qeveria ka prezantuar edhe paketën fiskale për vitin 2027 e cila sjell ndryshime në disa prej taksave kryesore.
Por prezantimi i projektbuxhetit nuk kaloi pa përplasje politike. Partia Demokratike bojkotoi Konferencën e Kryetarëve duke pretenduar se projektligji i buxhetit nuk u ishte vënë në dispozicion deputetëve në kohë.
Opozita kundërshtoi gjithashtu thirrjen e mbledhjes pa respektuar sipas saj, afatin 48 orësh të njoftimit dhe kërkoi që Kuvendi të zbatonte procedurat e parashikuara në Rregullore.
Projektbuxheti pritet të vijojë tashmë shqyrtimin në komisionet parlamentare, ku do të diskutohen në detaje shpërndarja e fondeve publike dhe ndryshimet fiskale për vitin e ardhshëm.
PROJEKTBUXHETI PËR VITIN 2027
Zërat Viti 2026 Viti 2027
Të ardhurat 843,110 mln lekë 907,882 mln lekë
Shpenzimet 906,817 mln lekë 976,065 mln lekë
Deficiti 63,707 mln lekë 68,183 mln lekë
BORXHI PUBLIK
Vlera
Viti 2026 1 474 623 mln lekë
Viti 2027 1 537 962 mln lekë
Diferenca +63,339 mln lekë
BUXHETI I DEDIKUAR PËR MBROJTJEN SOCIALE
279.7 MLD LEKË
30% E PBB
BUXHETI I DEDIKUAR PËR BUJQËSINË
Totali 17.9 mld leke
Skema direkte e mbështetjes 5.3 mld lekë
Ujitja dhe Kullimi 400 mln lekë
Fermer Përfitues 43.660
Kompesim i TVSH 10%
INVESTIMET PUBLIKE
% e PBB VLERA
Viti 2026 6.5% e PBB 179.6 mld lekë
Viti 2027 6.9% të PBB-së 201.5 mld lekë
Diferencat +0.4% + 21.9 mld lekë


