Sërish tensione në seancën plenare në Kuvend ku që në nisje të punimeve, opozita bllokoi foltoren. Kryetari demokrat, Sali Berisha, mori fjalën për procedurë, por në vend të kësaj u ndal te dhuna e ushtruar ndaj protestuesve, duke akuzuar mazhorancën për përdorimin e gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës.
Berisha iu drejtua deputetëve të Partisë Socialiste, duke iu thënë se janë ata që “meritojnë gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës”.
Tirana ka përjetuar një dhunë barbare, ku në rrugët e saj janë thyer kocka e çarë kafka. Dhe mjetet më të egra u përdorën kundër të rinjve. Këta parlamentarë që janë këtu, janë më kriminalë se ata që thyejnë kocka. Këta e meritojnë gazin lotsjellës, plumbat e gomës, kafkat e çara e kockat e thyera dhe jo të rinjtë, u shpreh Berisha.
Kjo deklaratë solli reagimin e Kryetarit të Kuvendit. Niko Peleshi vendosi t’i heqë të drejtën e fjalës Berishës për të gjithë seancën e sotme, duke argumentuar se kryetari i PD-së bëri thirrje për dhunë.
Ke bërë thirrje për dhunë nga foltorja, nuk lejohet.
Më pas dha 10 minuta pushim.


