Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbrojtur qëndrimin e administratës së tij ndaj krizës në Lindjen e Mesme, gjatë një tubimi elektoral në Misisipi, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e mesmandatit.
Gjatë fjalimit, Trump pretendoi se Irani tashmë disponon një raketë me rreze veprimi që arrin deri në Evropë, duke ngritur shqetësime edhe për sigurinë e qyteteve amerikane.
“Iranianët tani kanë një raketë që, në thelb, arrin deri në Evropë. Nuk duhet ta kenë një të tillë. Pyetëm veten: ‘Nga dreqin e gjetën këtë?’ Ata do të godisnin qytetet tona. Do të godisnin San Diegon. Do të godisnin Los Anxhelosin”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump nuk dha detaje të mëtejshme për raketën, ndërsa pretendimet e tij nuk u shoqëruan me prova konkrete gjatë fjalimit.
Duke folur për zhvillimet e konfliktit me Iranin, presidenti amerikan shprehu pakënaqësi për armëpushimin e arritur, të cilin e cilësoi si një vendim të panevojshëm.
“Bëmë një armëpushim të shkurtër, të cilin nuk e kam pëlqyer kurrë veçanërisht. E konsideroja humbje kohe… Armëpushimi ishte thjesht humbje kohe”, u shpreh Trump.
Ai pranoi gjithashtu se kishte parashikuar një rritje të ndjeshme të çmimit të naftës, por këmbënguli se administrata e tij ishte e përgatitur për t’u përballur me pasojat ekonomike.
“Mendoja se çmimi i naftës do të rritej jashtëzakonisht shumë, por isha plotësisht i përgatitur për ta përballuar këtë. Në të vërtetë, nuk kishim zgjidhje tjetër”, deklaroi ai.
Trump këmbënguli se Shtetet e Bashkuara nuk ishin përgjegjëse për nisjen e luftës me Iranin, duke ia atribuar Teheranit fillimin e konfliktit.
“Iranianët prodhojnë armë të jashtëzakonshme. Janë njerëz shumë të zgjuar, por ne ua kemi shkatërruar planet… Nuk e nisëm ne luftën me Iranin. Irani e nisi luftën me ne”, tha presidenti amerikan, duke iu përgjigjur edhe një mbështetësi të tij gjatë tubimit.
Deklaratat vijnë në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ku çështja e kapaciteteve raketore iraniane dhe rreziku i përshkallëzimit ushtarak mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Trump mbron tarifat: Sjellin vende pune dhe rritje ekonomike
Gjatë fjalimit, presidenti amerikan foli edhe për ekonominë, duke mbrojtur politikën e tij tregtare dhe tarifat doganore të vendosura ndaj partnerëve tregtarë.
“Tarifat nuk shkaktojnë inflacion. Ato sjellin sukses, rritje ekonomike dhe vende pune. Pikërisht këto janë rezultatet që prodhojnë”, deklaroi Trump.
Ai pretendoi gjithashtu se udhëheqësit botërorë e konsiderojnë SHBA-në vendin më të fuqishëm dhe më të rëndësishëm në planet.
Në një tjetër moment të fjalimit, Trump komentoi edhe presidenten e Meksikës, duke e përshkruar si një grua të bukur me një zë të mrekullueshëm.
“Gjithmonë më duhet të bëj punën e pistë. Bota po shembet, ndërsa ne po ecim më mirë se kurrë”, përfundoi presidenti amerikan.
Deklaratat e Trumpit në Misisipi ndërthurën paralajmërimet për kërcënimin iranian me mbrojtjen e politikave të tij ushtarake dhe ekonomike, në një përpjekje për të justifikuar vendimet e administratës së tij përpara zgjedhjeve të mesmandatit. /Panorama


