Avokati i njohur Spartak Ngjela ka folur hapur në një intervistë radiofonike në “Live From Tirana” për protestat studentore që po tronditin Shqipërinë prej dy javësh. Sipas tij, risia kryesore e këtyre protestave është fakti se ato udhëhiqen nga studentë, një element që historikisht ka pasur impakt të madh në ndryshimet politike të vendit.
“Janë shumë të rrezikshëm studentët kur kalojnë në forcë ose në dhunë. Janë ata të cilët bënë Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri”, theksoi Ngjela, duke kujtuar edhe rolin historik të lëvizjeve studentore në transformimet e mëdha politike.
Ngjela vërejti se kryeministri Edi Rama nuk ka eksperiencë për të përballuar revolta të tilla, pasi, sipas tij, mungesa e eksperiencës në ekonomi apo jurisprudencë e bën atë të paaftë të menaxhojë situata të tilla me forcën e duhur politike.
“I mungon forca. Nuk vjen nga ekonomia, as nga jurisprudenca. Është artist”, u shpreh avokati.
Sipas Ngjelës, deri më tani qeveria ka vepruar brenda kufijve të kushtetutës, por pyetja kryesore mbetet nëse kryeministri do të ketë guximin apo mundësinë politike për të përballuar me forcë masivitetin e studentëve, diçka që sipas tij asnjë kryeministër nuk e ka bërë dot më parë në histori.


